Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka caktuar një masë paraburgimi prej 30 ditësh, serbit Zoran Vukotiç, i dyshuar për krime të luftës në Kosovë.
Vendimin për t’ia caktuar Vukotiçit këtë masë të paraburgimit është marrë me urdhër të gjyqtarit ndërkombëtar të procedurës paraprake, ka pohuar për Insajderin zëdhënësja e EULEX-it, Besa Domi.
Vukotiç u ekstradua nga Mali i Zi në Kosovë të enjten e kësaj jave dhe në bazë të një kërkese të paraqitur nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).
Vukotiç dhe të tjerë, janë të dyshuar për përfshirje në një seri të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile në ose rreth qytetit të Vushtrisë gjatë konfliktit 1998/1999, duke përfshirë masakrën e 104 civilëve në ose në afërsi të fshatit Studime të Vushtrrisë, raporton Insajderi.
Një hetim rreth kësaj masakre ka filluar në vitin 2013, por në fund u desh të pezullohej për shkak se të dyshuarit, përfshirë edhe Vukotiç, kishin ikur jashtë vendit, thonë burime të Insajderit brenda Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Prokuroria speciale ka bërë të ditur se do të rihap hetimin për Vukotiçin dhe do ta vazhdojë atë.
Policia e Kosovës e kishte shpallur atë në kërkim ndërkombëtar përmes zyrës ndërlidhëse të Interpolit në Kosovë, para se autoritetet malazeze ta arrestonin atë. /Insajderi.com