×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Paralajmërimet absurde të BQK-së për ngritje të reja të kamatave kreditore

    Insajderi
    06 August 2022 - 10:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Mehmet GJATA

    BQK-ja, në vazhdimësi u tregua “e shurdhër” ndaj kërkesave permanente të klientelës dhe të asociacioneve ndërkombëtare bankare për të ulur dhe për të barazuar pak a shumë interesat bankare me vende të tjera, dhe me kokëfortësi mbajti normat e interesit për të gjitha llojet e kredive, më të lartat në Europë. Tani, pas paralajmërimit të BQE-së për ngritje të normave kreditore të interesit, BQK-ja ka ngarendur për të paralajmëruar ngritjet të shpejta të kamatave kreditore, edhe deri tash tepër të larta, për kredimarrësit e varfër kosovarë.

    Banka Qendrore e Kosovës për vite të tëra, ose më konkretisht tani e 23 vjet, qëkur ka nisur të ndërtohet sistemi bankar i vendit, as që ka denjuar edhe në një rast të vetëm të barazojë kamatat, kuotat e interesit për të gjitha llojet e kredive, me ato të bankave të shteteve të mbarë Europës, kupolë e të cilave në njëfarë mënyre është Banka Qendrore e Europës. Jo vetëm që nuk i përafroi kamatat me ato të bankave europiane, por me kokfortësi për dhjetëra vjetë i mbajti në nivelin më të lartë të mundshëm në të gjitha bankat komerciale të vendit.

    Në vitet e para të pasluftës, bankat në Kosovë patën aplikuar kamata në kredi edhe deri në 24-25 për qind, pastaj 15-16 e më shumë për qind ishte kuota e kamatës për dhjetëra vjetë në bankat komerciale të Kosovës, ndërsa edhe kur u ulën paksa para 3-4 vjetësh, ato prap mbetën ndjeshëm më të lartat në Europë. Dhe, BQK-ja, në vazhdimësi u tregua “e shurdhër” ndaj kërkesave permanente të klientelës dhe të asociacioneve ndërkombëtare bankare për të ulur interesat bankare. Ndërsa, bankat në Kosovë, këto 11 komercialet pra, vetëm këto i kemi, por edhe institucionet e ashtuquajtura mikrofinanciare, ose figurativisht siç vazhdojnë të quhen nga klientela ‘fajdexhinjtë legalë në Kosovë”, të përkrahura heshtazi, por edhe publikisht nga BQK-ja, gjithnjë e bënë ligjin vet: Sa deshtën dhe kur deshtën i përcaktuan interesat bankare për të gjitha llojet e kredidhënies dhe i ngritin çmimet e shërbimeve bankare sipas “qejfit” të tyre.

    Nuk pyetën pra, askënd e asnjëherë dhe në asnjë rast të vetëm, as për kamatat enorme të larta as për çmimet e reja të ngritura vazhdimisht të shërbimeve bankare. Dhe gjithnjë këto interesa të larta i arsyetuan me gjoja “të riskut të lartë që po mbretëruaka në Kosovë”, sado që rrisku “imagjinar”, i shpikur dhe i promovuar zëshëm nga bankat komerciale dhe BQK-ja, as që ka ekzistuar ndonjëherë në Kosovë.

    Buletini Ekonomik me të dhëna konkrete dhe me fakte të pakontestueshme ka dëshmuar publikisht se kurrë nuk ka qëndruar arsyetimi i vetëm nga bankat dhe nga BQK-ja për kamatat, që ngjasonin me ato të fajdexhinjve, ose ishin fare të përafërta me to, se gjoja risku i lartë në Kosovën e pasluftës, qenka shkaku i gjithë këtyre kamatave dhe çmimeve kaq të larta të produkteve bankare. Nuk ka qëndruar, praktikisht, asnjëherë të vetme ky arsyetim edhe për faktin se në Kosovë thuaja nuk ndodhi asnjë vjedhje e as thyerje e ndonjë institucioni bankar në gjithë këto vite. Ose, në këtë periudhë, rastet e vjedhjeve ordinere ose të ndonjë veprimi që do të shkaktonte pasiguri të sistemit bankar, siç dihet, në vendin tonë kanë qenë tepër të rralla.

    Ndërkohë, po në atë periudhë anembanë në shtetet e rajonit dhe gjithandej, kishte X raste të vjedhjeve të bankave. Edhe kreditë jo-performuese, ose siç quhen ndryshe kreditë e këqija janë fare të vogla “në Kosovën me risk të madh të sigurisë”. Ato, sipas pohimeve të vetë guvernatorit të BQK-së, janë gjithsej 2.5 për qind dhe këtë përqindje do ta lakmonin edhe shtetet me traditë qindravjeçare bankare. Pikërisht për këtë, vrojtuesit e jashtëm që i shikonin me realizëm zhvillimet te ne, jo njëherë thanë, shkruan dhe njoftuan se Kosova, edhe në ato rrethana (shumë pak vite pasluftës) ishte fare e sigurtë është ndër vendet më të sigurta edhe për funksionimin e bankave komerciale. Këto janë faktet.

    Fakt, pokështu janë edhe fitimet kolosale të bankave komerciale të Kosovës në të gjitha periudhat e vitit (tremujore, gjashtëmujore, nëntëmujore, dhe vjetore), të cilat janë vetëm rezultat i çmimeve shumë të larta deri në stratoferë të shërbimeve bankare dhe të kamatave akoma të larta te bankat komerciale dhe pakuptueshëm të stërlarta, madje edhe përtej fajdexhinjve ilegalë, të institucioneve mikrofinanciare.

    Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, siç dihet publikisht, aplikojnë norma absurde dhe për logjikën e shëndoshë të pakuptueshme deri në 41 për qind, ose më saktë nga 23 deri në 41 për qind. Këto, pa diskutim, janë interesat më të lartat në botë, në Europë dhe ndër shtetet e rajonit.

    Kosova është kampione absolute për çmimet e shërbimeve dhe për lartësinë e kamatave të kredive të të gjitha llojeve. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se norma mesatare e interesit në kredi në muajin janar ka qenë 5.66%; në muajin shkurt 5.9%; në muajin mars 5.80%; në muajin prill 5.77% dhe në muajin maj 5.82%. Ky nivel kamatash, është ndjeshëm mbi mesatarën e kamatave të bankave europiane.

    Ndërkohë, qytetarët e Kosovës vetëm brenda pesë muajve të parë të këtij viti kanë marrë “borxh” në banka mbi 816 milionë euro. Kurse, gjatë tërë vitit të kaluar janë dhënë 1.8 miliardë euro kredi të reja. Në total, llogaritet se kosovarët kanë mbi 3.7 miliardë euro kredi. Nga këto, 1 miliard e 384 milionë euro janë kredi të dhëna për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 299 milionë euro për korporatat jo-financiare dhe 6 milionë e 800 mijë euro për korporatat e tjera financiare.

    Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së, norma mesatare e interesit në kredi është 5.6 për qind. Për ekonomitë familjare kjo normë është 6 për qind, prej të cilave konsumuese 6.4% dhe hipotekare 4.8%. Ndërsa, për korporata jo-financiare është 5.4 për qind, prej të cilave 4.4%, industriale, 5.7% dhe shërbyese 5.2%.

    Në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, janë 11 banka, ku 9 prej tyre janë në pronësi të huaj.

    Sipas të dhënave të BQK-së, bankat komerciale në Kosovë për katër muajt e këtij viti kanë fituar gjithsej 44.6 milionë euro. Dhe, tani, përkundër fakteve të shumta të sipërpërmendura, pas paralajmërimit të Bankës Qendrore Europiane për ngritje të intetesave në kredi, BQK-ja përnjëherë bëhet ‘e dëgjueshme’ ndaj autoritetit europian bankar, pavarësisht se gjithnjë deri tash ishte treguar ‘e shurdhër” ndaj kërkesave për të balancuar kamatat edhe në bankat e Kosovës.

    BQK-ja, shkurt e shqip, ka paralajmëruar rritje të kamatave tek kreditë e qytetarëve të Kosovës dhe ka gjasë që ky paralajmërim edhe të sendërtohet shumë shpejt. Për këtë, flet qartë mbështetja pa diskutim e raportit të BQE-së nga BQK-ja.

    Pra, qytetarët e Kosovës ka shumë gjasë që që shumë shpejt do të ballafaqohen me norma të reja të interesit për kreditë që kanë në banka dhe për ato që do t’i marrin.

    “…kostot e mbajtjes së likuiditetit do të sfidohen me rritjen e normave të interesit në nivel global të cilat transmetohen direkt përmes financimit nga bankat amë. Politikat monetare të disa bankave qendrore veçse janë kundërpërgjigjur rritjes së inflacionit përmes rritjes së normave bazë të interesit. BQE ka hezituar të ndërhyjë dhe ndryshoj politikën monetare në gjysmën e parë të vitit 2022, kryesisht si pasojë e ndikimit që pritet të ketë rritja e kostos së financimit në disa nga ekonomitë e BE-së (recesionit potencial) dhe dobësimit të mëtejmë të euros”, thuhet në “Raportin e Stabilitetit Financiar” të BQK-së.

    Sipas BQK-së, “Ndryshimet në normat e interesit në BQE do të afektojnë indirekt kostot e mbajtjes së likuiditetit dhe kostot e financimit në vend. Për më tepër, përkundër normës së lartë të likuiditetit në nivel sektori, shumica e bankave kanë shënuar rënie të raportit të likuiditetit nga viti i kaluar, ndër të cilat disa me rënie më të theksueshme”, bëhet me dije në raportin e BQK-së.

    S’do mend se këto vlerësime të BQK-së, që janë goxha diskutabile, e sidomos ai për rënien e likuiditetit të bankave kosovare në këtë vit (dihet saktësisht rritja e fitimit neto e secilës bankë komerciale të Kosovës edhe në krahasim me të të njëjtit muaj të vitit të kaluar), në këtë periudhë janë paralajmërim goxha transparent për të ngritur normat e inetresit, edhe ashtu më të larat në Europë.

    Në këtë mënyrë, në Kosovën e varfër dhe financiarisht të brishtë, institucionet bankare (11 bankat komerciale dhe nëntë institucionet mikrofinanciare), që kanë selitë kryesisht jashtë Kosovës do të shtojnë neto fitimet e tyre, ekskluzivisht si rrjedhojë e interesave që tejkalojnë edhe ato të fadexhinjve ilegalë.

    Gjithsesi, me përkrahjen e BQK-së, e cila ende pa u bë mirë publik paralajmërimi i BQE-së, ka ngarendur për të paralajmëruar kredimarrësit e varfër kosovarë për kamata akoma më të rritura. Dhe duhet thënë, se kamatat edhe më tej të ngritura do të shtojnë ndjeshëm rastet kur shpenzimet e kësteve të huamarrësit kosovar tejkalojnë plotësisht të hyrat mujore.

    Tani për tani, kur akoma nuk ka ndodhur rritja e kamatave për kredi, rastet kur shpenzimet e kësteve të huamarrësit kosovar tejkalojnë plotësisht të hyrat mujore, përbëjnë 1.8 për qind të mostrës së huamarrësve, dhe kjo është shqetësuese. Dhe, përkundër këtyre fakteve Banka Qendrore e Kosovës (BQK) paralajmëron kamata të reja akoma të ngritura.

    Pse BQK-ja vazhdon të rrezikojë kaq haptas paqen edhe ashtu të brishtë sociale në Kosovën me shumë të skamur? Do të duhej dikush të japë njëherë e mirë një përgjigje.

    Të dihet së paku, pse gjithë këto lëshime e “mbyllje sysh” iu bëhen institucioneve mikrofinaciare dhe bankave të njëmendta, atyre komerciale në Kosovë nga BQK-ja. Do të duhej, gjithsesi, që siç ka kërkuar edhe më herët Buletini Ekonomik, që të hulumtohet dhe të zbardhet edhe dyshimi se mos ndonjë sektor i BQK-së, apo ndonjë përgjegjës i saj, është i involvuar në gjithë këto benefite që u lejohen institucioneve bankare në vend jashtëligjshëm.

    Po kështu, është e domosdoshme të japë përgjigje dikush në këtë vend, pse gjithë ky ngurrim nga BQK-ja për të lëshuar licenca të reja për banka të tjera komerciale në Kosovë. Konkurrenca edhe në sektorin bankar të Kosovës do të ishte rregullator i mirë i çmimeve të produkteve bankare. Kosova, thjesht, ka nevojë për më shumë banka komerciale për ta krijuar konkurrencën e ligjshme dhe të nevojshme.

    Mali i Zi, i cili ka përafërsisht trefish ma pak banorë se Kosova ka 17 banka komerciale, ose 6 sosh më shumë se që ka Kosova. Ndërkohë që për institucionet zyrtare që kanë detyrë të monitorojnë performacën e BQK-së, s’ka më lehtë se sa për të parë se rritja enorme e profitit është rrjedhojë thuaja kryekëput e të hyrave nga interesat që patën dhe vazhdojnë të kenë bankat, përkatësisht rritjes së kredidhënies, çmimeve stratosferike të shërbimeve bankare dhe miratimit pa asnjë kundërshtim nga BQK-ja të kërkesave të pandalshme të bankave për të mbajtur interesat në përqindje kaq të larta akoma.

    Profiti kaq i lartë i bankave dhe IMF-ve është, gjithsesi, edhe rrjedhojë e politikave fare të pakuptueshme që po ndjek BQK-ja në disfavor të theksueshëm kundrejt klientelës kosovare edhe duke miratuar pa reshtur ngritjen enorme të çmimeve të shërbimeve bankare dhe të normës së intereseva astronomike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark