“Paralajmërimi i kryeministrit për rritje pagash po bëhet për blerje votash” – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Paralajmërimi i kryeministrit për rritje pagash po bëhet për blerje votash”

    Insajderi
    04 May 2017 - 15:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë ku planifikohet rritja e pagave në arsim, shëndetësi e administratë të shtetit.

    Sipas tij, kjo po bëhet me qëllim për blerjen e votave të kategorive që Qeveria po planifikon t’ua rrisë me paratë publike.

    “Këtë që e bëni tani, nuk ka asnjë dyshim e bëni për blerjen e votave të kategorive që ua ngritët pagat, me paratë publike dhe për ketë nuk keni të drejtë. Pse ngritjen nuk e bëtë në fillim ose në mes të mandatit qeverisës, por në fund të tij”, thotë ai.

    Shkrimi i Krasniqit:

    VETËM TË PUNËSUART NË ARSIM, SHËNDETËSI E ADMINISTRATË TE SHTETIT  NUK JANË SHTETAS TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS?!

    Nuk ka asnjë dyshim, ngritja e pagave në arsim, shëndetësi e administratë të shtetit është lajm i mirë, jo vetëm pse u janë ngritur të ardhurat kategorive të përmendura, por edhe pse është rritur Buxheti i shtetit e cila rritje po e mundëson ketë ngritje të pagave. Pastaj nuk ka asnjë dyshim se ky investim nuk është i mjaftueshëm për sa i përket arsimit dhe shëndetësisë. Këto shërbime publike kërkojnë një përkujdesje shumë herë më të madhe e më të dinjitetshme. Vetëm ngritja e pagave në këto shërbime nuk mjafton! Duhet përkujdesje tjetër! Për një përkujdesje tjetër në diskonim i kishit tri vite. Çka betë deri tani?

    Në një situatë të tillë, natyrshëm shtrohet pyetja? Nga viti 2000/2001 e deri me sot, sa herë u janë ngritur pensionet, pensionistëve të moshës dhe atyre që prapa veti kanë vite të tëra të punës? Sa herë u janë ngritur ndihmat kategorive të ndryshme sociale, ku bëjnë pjesë të verbëritë e kategoritë tjera me aftësi të kufizuara? Të gjitha këto kategori dhe të punësuarit në bizneset private, të cilët shfrytëzohet në mënyrën më të egër e pa asnjë mbrojtje institucionale (ligjore)?! Të gjithë këta që u përmenden duke i përfshirë edhe 25.000 familjet që nuk e kanë asnjë të punësuar janë shtetas të Republikës së Kosovës! Si këto kategori ta fitojnë interesimin e qeveritarëve?

    Pse, pensionet dhe ndihmat e këtyre kategorive nuk rriten krahas shërbyesve publik dhe atyre të administratës se shtetit?! A nuk duhet edhe këta t’i gëzohen rritjes se Buxhetit të shtetit?! A nuk janë edhe këta kontribuues të këtij Buxheti?

    Ketë që e bëni tani, nuk ka asnjë dyshim e bëni për blerjen e votave të kategorive që ua ngritët pagat, me parat publike dhe për ketë nuk keni të drejtë. Pse ngritjen nuk e betë në fillim ose në mes të mandatit qeverisës, por në fund të tij?

    Nuk kam asnjë dyshim, kjo mënyrë e praktikë e keqe e qeverisjes duhet të ndërpritet, sa më parë aq më mirë!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark