Disa video të artistes së mirënjohur shqiptare, Parashqevi Simakut në rrugët e Amerikës, kanë tronditur publikun.
Me bujën që u bë, në ndihmë asaj i ka dalë sipërmarrësi i njohur shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elton Ilirjani.
Por për jetën e Parashqevi Simakut ka folur gazetari Milaim Zeka në emisionin “Kosova Today”.
Zeka thotë se Simaku ka qenë e dhunuar nga sistemi i Enver Hoxhës, nga shefi i sigurimit të lartë të asaj kohe, Luan Bobrati.
“Parashqevi Simakun e kam takuar për herë të parë në jetën time në vitin 1989, më saktësisht natën kur Ismail Kadareja është arratisur nga Shqipëria. Kemi qenë në atë kohë bashkë me të ndjerin , Llukman Halili. Që atëherë kam mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me të, e di jetën e saj në konvikt, kam shkuar në Durrës në shtëpinë ku i ka jetuar nëna, e më vonë ka ardhur tek unë në Norvegji”, tha Zeka.
“Dua të them diçka shkurt. Parashqevi Simaku ka qenë e dhunuar, e stërdhunuar nga ish-sigurimi i shtetit të Enver Hoxhës. Dhe njeriu i cili ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ka qenë një person me emrin Luan Bobrati, shef i sigurimit të lartë të shtetit në atë kohë, njëri tejet i ndyrë”.