Trendi i parave të falsifikuara në Kosovë sa vjen e bëhet pjesë e përditshmërisë. Raportet 24 orëshe të policisë së Kosovës pothuajse çdo ditë kanë përbrenda raste të këtij lloji me falsifikim të monedhave nga qytetarët, shkruan Insajderi.
Ky trend duket se zanafillën e ka nga rrjeti social Tik Tok nga ku edhe reklamohen para të falsifikuara.
Gazeta Insajderi ka identifikuar disa faqe në këtë rrjet social që merren me porosi online të parave fallso.
Qytetarë të shumtë, edhe përmes komenteve e kanë treguar interesimin për zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Megjithëse këto postime publikohen në Tik Tok, kjo veprimtari kryhet përmes rrjetit social “Telegram”.
Trajtimi i rasteve nga Policia e Kosovës
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me policinë e Kosovës në lidhje me rastet e raportuara në vitin 2021 dhe 2022.
Sipas përgjigjeve nga zyra për informim e policisë së Kosovës, gjatë vitit 2021 kishte 866 raste ndërsa në vitin 2022 523 raste.
“Gjatë vitit 2021 policia ka iniciuar dhe trajtuar 866 raste ‘falsifikim i parasë’, kurse gjatë periudhës janar-shtator 2022 janë iniciuar 523 raste ‘falsifikim i parasë’”, thuhet në përgjigjen e policisë për Insajderin.
Një mashtrim i raportuar në maj të këtij viti kapte shumën 500 euro.
Sipas raportit të policisë së Kosovës, një punëtor i një lokali të njohur në Prishtinë, kishte pranuar nga një klient një kartëmonedhë prej 500 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar.
Rasti është raportuar në stacionin policor “Jugu”, ku punëtori ka deklaruar se 500 euro i kishte pranuar nga 3 persona, pasi kishte dërguar një porosi në rrugën “Kadri Halimi”, në Prishtinë. /Insajderi.org