Insajderi
Lajme

Olluri: Kjo do të jetë fushata më e gërditshme zgjedhore që ka pasur Kosova

Insajderi
20 November 2025 - 23:49
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Olluri: Kjo do të jetë fushata më e gërditshme zgjedhore që ka pasur Kosova
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gazetari, Parim Olluri, ka deklaruar se parafushata dhe fushata zgjedhore në Kosovë po degradon diskursin publik dhe po manipulon qytetarët me frikë. Ai foli për këtë situatë në emisionin Pressing në T7.

“Ka me qenë parafushata dhe fushata më e gërditshme zgjedhore që ka qenë ndonjëherë në Kosovë. Këtu nuk ka mbetur asnjë projekt i madh publik në gjysmën që dikush e premton. Për shembull, në shtetet e tjera dikush premton anëtarësimin në BE ose në NATO dhe dihet se cila parti çfarë premton. Këtu pushteti ka degraduar diskursin publik deri në atë masë që tashmë, nga buxheti fillon manipulimi me qytetarët, duke u frikësuar se opozita do t’i lërë pa rroga dhe pa bukë”, tha Olluri.

Ai shtoi se degradimi shkon edhe më tej, duke përfshirë akuzat e VV-së se PDK po bashkëpunon me Listën Serbe.

“Ky diskurs arrin deri në atë nivel ku njeri që ka mbajtur post të ministres së Drejtësisë poston grupin parlamentar të PDK-së, ku shihet se ka bashkëluftëtarë të Adem Jasharit, dhe madje edhe mbesa e heroinës, Salë Jashari, është në harmoni të plotë me Listën Serbe. Pra degradimi shkon deri aty që projektohet frika se në Kosovë ekziston një grup i rrezikshëm që bashkëpunon me Serbinë”, u shpreh Olluri.

Olluri theksoi gjithashtu mungesën e diskutimit për zhvillimet konkrete ekonomike dhe infrastrukturore.

“Partia më e madhe në vend nuk flet më për zhvillimin e KEK-ut, për ndërtimin e termocentraleve, për Brezovicën, për menaxhimin e Përrvallës, për hekurudha apo Telekomin e Kosovës”, përfundoi Olluri.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark