Thomas Partey është ndaluar të hyjë në Kanada dhe do të mungojë në ndeshjen hapëse të Ganës në Kupën e Botës kundër Panamasë të mërkurën.
Ish-mesfushori i Arsenalit ishte ftuar në skuadrën e Ganës për turneun me 48 ekipe, por vitin e kaluar ishte akuzuar në Londër për disa vepra të rënda penale të dyshuara që lidhen me periudhën 2020–2022.
Partey, i cili tani luan për Villarrealub, i ka mohuar të gjitha akuzat dhe procesi gjyqësor është shtyrë për në qershor 2027, gjë që i lejoi atij të ishte pjesë e turneut.
Megjithatë, mesfushori 32-vjeçar nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen kundër Panamasë në Toronto, pasi i është refuzuar viza për të hyrë në vend.
Në një deklaratë, FIFA konfirmoi: “FIFA mund të konfirmojë se lojtari Thomas Partey nuk do të mund të udhëtojë nga kampi bazë i Ganës në Boston drejt Kanadasë për ndeshjen e parë kundër Panamasë më 17 qershor, pasi aplikimi i tij për vizë është refuzuar nga qeveria kanadeze”.
“FIFA nuk është e përfshirë në proceset e imigracionit të vendeve pritëse. Si në eventet e mëparshme, qeveria pritëse vendos përfundimisht se kush merr vizë dhe kush lejohet të hyjë në vend”, thuhet tutje.
Është konfirmuar gjithashtu se gjyqi i tij për akuzat e përdhunimit është shtyrë për në qershor 2027, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 2 tetor.
Që nga ngritja e akuzave, Partey ka dalë disa herë në fushë me Villarreal dhe më parë edhe në ndeshje ndërkombëtare.
Ai pritet gjithashtu të jetë në dispozicion për ndeshjen e Ganës kundër Anglisë në Boston më 23 qershor, nëse situata e tij me vizat dhe udhëtimet zgjidhet.