×
  • Lajme
  • Analiza

    Partia që erdhi në pushtet me protesta, vendos rregulla për tubimet dhe ngjarjet publike

    Insajderi
    14 September 2022 - 13:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Si erdhi partia e Albin Kurtit në pushtet? Dhe pse pikërisht përmes tubimeve pa “rregulla”?

    Gazeta Insajderi

    Qeveria e Republikës së drejtuar nga Albin Kurti ka miratuar sot Projektligjin për Rregullimin e Tubimeve dhe Ngjarjeve Publike

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky projektligj ka për qëllim të sigurojë ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubime publike si dhe të drejtës për të organizuar dhe marrë pjesë në ngjarje publike.

    Ai tregoi se ky projektligj do të përcaktojë edhe çështje si koha dhe mënyra e lajmërimit të tubimeve dhe ngjarjeve publike.

    “Me këtë projektligj rregullohet edhe koha dhe mënyra e lajmërimit të tubimeve dhe ngjarjeve publike si dhe detyrat dhe përgjegjësitë e organizatorëve dhe të Policisë së Kosovës për zbatim të tij”, tha Sveçla, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, si erdhi partia e Albin Kurtit në pushtet? Dhe pse pikërisht përmes tubimeve pa “rregulla”?

    Pas 9 viteve në opozitë, e gati 14 viteve aktive në skenën politike, Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e tetorit të vitit 2019.

    Nga protestat pa “rregulla” në rrugë, te protestat me gaz lotsjellës në Kuvend, Vetëvendosje ka shënuar rritje në secilin proces zgjedhor.

    Lëvizja Vetëvendosje u themelua më 12 Qershor 2005, si pasardhëse e organizatës KAN (Rrjeti i Aksionit për Kosovën), në të cilën Albin Kurti kishte qenë aktivist.

    Në ditën kur Kosova festonte çlirimin, (12 qershor 2005) një grup i të rinjve të udhëhequr nga Albin Kurti dolën rrugëve të Prishtinës përballë misionit të OKB-së që administronte Kosovën, UNMIK, vendosën sloganin “Jo Negociata, Vetëvendosje”.

    Ky aksion shënon fillimin e një liste të gjatë aksionesh e protestash me të cilat do të shënohej historia e Vetëvendosjes.

    Për të kundërshtuar planin e diplomatit finlandez, Marti Ahtisaari, Lëvizja Vetëvendosje në shkurt të vitit 2007 kishte organizuar një protestë masive, ku me ndërhyrjen e policisë speciale rumune, dy aktivistët Mon Balaj e Arben Xheladini, kishin mbetur të vdekur, ndërsa mbi 80 të tjerë ishin lënduar.

    Kurti kishte qenë udhëheqës edhe i shumë protestave të tjera në vend, në të cilat disa herë ishte arrestuar.

    Në vitin 2010 Vetëvendosje hyri edhe zyrtarisht në politikë duke marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme dhe duke fituar 12.4% të votave dhe 14 nga 120 vende në Parlament.

    Ndërsa në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, Lëvizja Vetëvendosje kishe fituar 16 ulëse.

    Në vitin 2015, Vetëvendosje dhe partnerët opozitarë AAK e NISMA gjuajtën me gaz lotsjellës e vezë brenda parlamentit, për ta ndaluar parlamentin të ratifikonte një marrëveshje kufitare me Malin e Zi fqinj dhe të krijonte  Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Lexo edhe:

    Në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, Vetëvendosje u bë partia më e madhe politike në parlament, me 32 ulëse në parlament.

    Por më pak se një vit më vonë, 12 deputetë dhe dy kryetarë komunash, duke përfshirë kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, u larguan nga partia, të pakënaqur me fushatën e Kurtit për t’u zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes.

    Ndryshe, para luftës, Kurti iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.

    Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi.

    Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe, u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe.

    Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark