Një album rrëqethës që ka fotot dhe firmat e kriminelëve nazistë të luftës të cilat janë bërë teksa ata prisnin të dënoheshin është publikuar pas më shumë se 70 vjetësh.
Galeria fotografike me të dhëna të hollësishme të njerëzve më të afërt të cilët ishin ngarkuar nga Hitleri që të mbikëqyrnin zbatimin e Holokaustit, u grumbullua një oficer i inteligjencës së aleatëve, detyra e të cilit ishte që të merrte në pyetje individët e inkriminuar.
Një pjesë kyçe e pyetësorit ishte t’u kërkohej atyre që të jepnin një firmë autentike në mënyrë që ajo të mund të krahasohej me dorëshkrimet e zyrtarëve nazistë të cilët kishin nënshkruar urdhëra për të kryer mizori gjatë luftës.
Në foto spikat Hermann Goering, i përshkruar në libër si i varur nga drogërat dhe dizajner i uniformave, ai ishte kreu i Luftwaffe-s dhe një anëtar i Partisë Naziste që prej ditëve të saj të para.
Goering, fotoja dhe firma e të cilit mund të shihen në foto, u bë një prej politikanëve kryesorë në Gjermaninë Naziste dhe një i besuar i ngushtë i Hitlerit.
Ai u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit dhe u dënua me varje në litar, por arriti që të vriste veten natën e ekzekutimit duke kapërdirë një pilulë cianuri.
Në përshkrimin e Goeringut në album shkruhet: ‘Drejtor i planit katër-vjeçar. Plaçkitës i veprave të paçmueshme të artit evropian. “Djali Modern” Nazist, Dizenjuesi i Uniformave, i varur nga droga, në gjyq në Nuremberg për katër akuza”.
Këto prova kyçe – që ndihmuan në dënimin e kriminelëve nazistë të luftës – ishin një prej arsyeve kryesore se përse shumë nazistë u përpoqën të digjnin miliona dokumente teksa Aleatët avanconin drejt Berlinit në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Albumi, i quajtur Karvani Nazist, u përpilua nga oficeri i shërbimeve sekrete Hank Schardt, i cili kishte lindur në Gjermani, por kishte emigruar për në Amerikë në moshën tetë-vjeçare.
Në të janë firmat e 230 individëve të rangut të lartë të zyrtarëve ushtarakë, udhëheqësve politikë, diplomatëve, pronarëve të ndërmarrjeve dhe krerëve të institucioneve si bankat që ishin në gjyq dhe ndihmuan në dhënien e provave gjatë Gjyqit për Krimet e Luftës në Nurmeberg më 1946.
Një prej njerëzve më të pazakontë në koleksion është pilotja Hanna Reitsch, e cila fluturoi për në Berlin me shpresën që ta merrte Hitlerin me avion përpara se të mbërrinin rusët. Por ai refuzoi dhe vendosi të vriste veten.
Filld Marshalli Vilhelm Keitel ishte nazisti i tretë i rangut më të lartë që u gjykua në Nuremberg. Në album ai përshkruhet si “një prej udhëheqësve ushtarakë më aktivë të Gjermanisë dhe u dënua me vdekje.
Keitel ishte shefi i mbrojtjes gjatë pjesës më të madhe të L2B-së, si një zyrtar ushtarak atij i ndalohej të ishte pjesë e Partisë Naziste. Por ai mori teserën e “Artë” NSDAP të anëtarësisë nga Hitleri, i cili donte t’i lidhte sukset ushtarake me ato politike.
Otto Skorzeny ishte një lider i Waffen-SS. Ai u përzgjodh personalisht nga Hitleri në një mision për të liruar diktatorin italian Mussolini dhe udhëhoqi operacionin Greif, ku ushtarët gjermanë u infiltruan nëpër radhët e armikut duke përdorur gjuhën, uniformat dhe zakonet e tyre. Hitleri e nderoi me një prej dekoratave më të larta, Gjethen e Lisit mbi Kryqin e Kalorësit.
Julius Streicher kishte bindje anti-hebre të cilat ishin aq të forta sa që edhe disa nazistë të tjerë e dënonin sjelljen e tij të tepruar. Edhe pse nuk ishte ushtarak dhe nuk kishte rol në planifikimin e Holokaustit, roli i tij kyç në nxitjen e shfarosjes së hebrenjve ishte mjaftueshëm domethënës për prokurorët për ta vendosur atë mes radhëve të kriminelëve më të mëdhenj të luftës në Nuremberg./Mapo