Driton Selmanaj, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe kryetari i Komisionit Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se nesër do ta dorëzojë një kallëzim penal kundër ambasadorit Martin Berishaj.
“Çka është ky zell për ta mbrojtur Martin Berishajt, kur ai ka gënjyer në komision. Ai na ka gënjyer në sy. Prandaj, unë në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni kam detyrim, edhe si parti politike kemi diskutuar, ta procedoj kallëzimin penal nesër për këtë person“, ka thënë Selmanaj, shkruan Gazeta Insajderi
“Gënjeshtra nuk mund të kalojë. Ai ka gënjyer se kompania e tij është mbyllur në vitin 2021, atëherë çfarë ta pyes unë për vitin 2021 e 2022”, tha tutje Selmanaj në Kuvend shkruan Gazeta Insajderi.
Ky kallëzim i tij vjen një muaj pas raportimit ekskluziv të Gazetës Insajderi mbi gënjeshtrat e ambasadorit Martin Berishaj në komisionin parlamentar.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ishte ftuar në nëntor të vitit të kaluar në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës.
Aty ai kishte folur edhe për skandalin e shpëlarjes së parave në të cilin ishte përfshirë, fakt ky për të cilin fillimisht kishin raportuar mediat sllovene, shkruan Gazeta Insajderi.
Diplomati që përfaqëson Kosovën në Kroaci, e kishte pranuar para Komisionit se ka punuar si këshilltar në kompaninë serbe GEN, e cila merret me tregtimin e energjisë.
Megjithatë, ai pati thënë se prej kur është bërë ambasador në vitin 2020, nuk ka pasur marrëdhënie kontraktuale me atë kompani.
“Unë GEN-in e njoh natyrisht, është një firmë e cila i ka 25 vende të botës, 13 bursa ndërkombëtare të shitblerjes së energjisë, është plotësisht qind për qind në pronë sllovene, kam qenë aty si këshilltar. I kam dhënë këshilla se çka do të duhej të bëjë një firmë e madhe, GEN është e regjistruar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë në vitin 2009, e ka licencën nga viti 2009 dhe bën shitblerje. Nga viti 2019, 2020 unë nuk jam më me ta, pasi kam filluar punën si ambasador dhe jam i lirë prej këtyre çështjeve”, pati thënë Berishaj para deputetëve, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, ndonëse ai këtë deklaratë e ka bërë para deputetëve të Komisionit nën betim, duket se nuk e ka thënë të vërtetën.
Si pikë e parë, ai ambasador nuk është emëruar në vitin 2020, por në shkurt të vitit 2021, dhe e dyta kompania GEN ka derdhur para në xhirollogarinë e MB Consulting, biznesin e Berishajt edhe përgjatë kohës sa ai thotë se “unë nuk jam më me ta”, në vitin 2021 dhe 2022, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe:
Kompania e diplomatit Berishaj paratë e para nga GEN-i me degë në Serbi i ka marrë më 10 shkurt 2015, shumë kjo prej 66 mijë e 528 euro.
Kështu ka raportuar ekskluzivisht Gazeta Insajderi nga transaksionet bankare që ka siguruar, dhe ka zbuluar se hyrat e Berishajt nga GEN kanë arritur kulmin pikërisht në vitin 2021, kur ai deklaron nën betim se “pasi kam filluar punën si ambasador dhe jam i lirë prej këtyre çështjeve”.
Në xhirollogarinë e biznesit të ambasadorit atë vit ishin transferuar saktësisht 473 mijë e 889 euro. Derisa një vit më vonë janë transferuar edhe 119 mijë e 445 euro të tjera, zbulon Gazeta Insajderi.
Ndryshe, deklarimi i rremë nën betim dënohet sipas Kodit Penal të Kosovës.
“Kushdo që pasi të ketë dhënë betimin pranë organit kompetent për të administruar dëshmitë e dhëna nën betim ose betimet dhe pastaj nënshkruan dëshminë nën betim ose deklaron diç që nuk beson se është e vërtetë ose me dijeni fsheh ose shmang nga deklarimi ndonjë çështje relevante për procedurën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”, thuhet në Nenit 383, transmeton Gazeta Insajderi.
Lexo edhe: