×
  • Lajme
  • Insajderi

    Pas hulumtimit të Insajderit deputetja Hoxha e pyet ministren Nagavci: Pse çerdhja ka shkuar nga Vitia në Kamenicë?

    Insajderi
    29 July 2022 - 17:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e ka pyetur ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin, pse çerdhja që ishte parashikuar të ndërtohej në Viti ka shkuar në Koretin të Kamenicës?

    Hoxha pyetjen e ka shtruar në Kuvend pas hulumtimit të Gazetës Insajderi, ku zbulohen prapaskenat e zhvendosjes së çerdhes nga komuna e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, te ajo e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Ministrja Nagavci ka dalë pata deputetëve dhe ka treguar procedurat e tenderimit dhe ritenderimit të ndërtimit të disa çerdheve nëpër Kosovë, pa u përgjigjur saktësisht në atë që kërkonte deputetja Hoxha.

    “Kemi ndarë edhe buxhetin për ndërtimin e çerdheve të reja, janë paraparë pesë milionë euro për to. Bazuar në këtë ne kemi hapur tenderin për ndërtimin e gjashtë çerdheve, i njëjti konkurs për çështje teknike është anuluar, tash konkursi është në proces përsëri për ndërtimin e tyre”, ka thënë Nagavci, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në tenderin e parë çerdhet ishin paraparë të ndërtoheshin në: Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Viti, Deçan, Gjakovë, por pas anulimit dhe ritenderimit, në shpalljen e kontratës së re ishte hequr Vitia dhe ishte shtuar Koretini i Kamenicës.

    Kur Nagavci u pyet nga Hoxha, pse ka ndërruar lokacioni i çerdhes pasi bëhet fjalë për të njëjtin tender, ajo nuk u përgjigj saktësisht, pos që tha se “Qeveria i ka prioritetet e saja”.

    Pas përgjigjes së ministres deputetja shprehi pakënaqësinë  e saj duke thënë se “përgjigja për mua ishte e paqartë” dhe pyeti sërish “pse çerdhja ka shkuar nga Vitia në Kamenicë”.

    Gazeta Insajderi ka raportuar një javë më parë mbi këtë çështje, duke treguar se si çerdhes së Vitisë i ishte ndërruar lokacioni për në Koretin të Kamenicës.

    Madje për këtë çështje pati reaguar edhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti i LDK-së.

    Ai ka treguar për Gazetën Insajderi, se ministria e Arsimit kishte vendosur ta ndërtojë çerdhen në qytetin e tij.

    “Ministria e Arsimit ka vendosur për ndërtimin e çerdhes në Viti, është nda buxheti, është nda lokacioni. Në rundin e parë ka dalë tenderi edhe për Vitinë, më vonë ai është anuluar dhe herën e dytë nuk ka dalë për ne”, ka thënë Haliti.

    Ai ka thënë se drejtoresha e tij e Arsimit është interesuar mbi këtë çështje, dhe presin të marrin shpejt një përgjigje.

    “Drejtoresha e Arsimit ka qenë atje ka biseduar ka kërkuar të sqarohet kjo çështje, ata ende nuk i kanë dhënë sqarime drejtorësh, presim një përgjigje përfundimtare këtë javë”, ka thënë Haliti për Gazetën Insajderi.

    I pari i Vitisë ka thënë tutje se vendimi i parë i ministrisë duhet të zbatohet, sepse sipas tij është i ligjshëm, dhe se “nuk kanë të drejt të veprojnë kështu”.

    “Unë shpresoj që ata nuk e bëjnë këtë gabim, edhe pse këtë radhë e kanë anashkaluar qëllimisht”.

    “Nuk dëshiroj më besu që kjo është bërë për arsye politike, por diçka atje ka, sekretarja permanente, dhe ministrja duhet ta japin arsyetimin”, tha ai tutje për Gazetën Insajderin./Gazeta Insajderi/

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark