×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Hulumtimi i Insajderit zbulon prapaskenat e zhvendosjes së çerdhes nga Vitia në Kamenicë

    Insajderi
    29 July 2022 - 17:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zyra e Prokurimit të Arbërie Nagavcit kishte hapur tenderin për ndërtimin e disa çerdheve në Kosovë, aty parashihej që një të ishte edhe në Viti. Më pas procesi ishte anuluar dhe nga komuna e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, institucioni për edukimin e fëmijëve ishte zhvendosur në atë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Gazeta Insajderi sjell prapaskenat e kontratës që peshon afro gjysmë milion euro.

    Një çerdhe e re do të niste së ndërtuari këtë muaj, afër shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë”, në Viti.

    Për objektin ishte ndarë edhe prona komunale, dhe ishin kryer të gjitha procedurat tjera parapake, sikur edhe votimi në asamble, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, çerdhja që ishte paraparë të ndërtohej në Vitinë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dyshohet se është zhvendosur në një komunë tjetër të Anamoravës që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Kështu së paku zbulon rinjoftimi për kontratë, i publikuar më 8 korrik, në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

    Aty thuhet se do të ndërtohen pesë çerdhe si në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Gjakovë e në Koretin të Kamenicës, në të cilën qeverisë Lëvizja Vetëvendosjes, parti kjo nga e cila vjen e para e Arsimit në vend, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nëse ndërrimi i lokacionit të çerdhes që fillimisht ishte paraparë të ndërtohej në Viti, ka ndodhur për arsye politike nuk është konfimuar, pasi Ministria e Arsimit ka dhënë një sqarim ndryshe për Gazetën Insajderi.

    “Bazuar në Ligjin e Buxhetit për vitin 2022, ndërtimi i çerdhes në Kamenicë ka kodin e vetë -19059), dhe nuk bëhet fjalë për zëvendësim me atë të Vitisë, sepse ndërtimi i çerdhes në Viti ashtu si edhe i pesë të tjerave, është planifikim i MASHTI në kuadër të një kodi të përbashkët-19008”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

    “Procesi për ndërtimin e Çerdheve në Deçan dhe Viti (të publikuara me 23.05.2022 dhe që nuk janë ri tenderuar) janë në procese të shqyrtimit të mundësive buxhetore për vitin 2022 dhe bazuar në këto shqyrtime, do të procedohen me kohë në zyrën e Prokurimit-MASHTI për ndërtim”, vazhdon tutje përgjigja e MASHT për Gazetën Insajderi.

    Tenderi i parë i Ministrisë së Arsimit, ishte hapur më 23.05.2022. Aty parashihej edhe ndërtimi i çerdhes në Viti.

    Projekti në fjalë, pjesë e të cilit janë edhe disa çerdhe të tjera në Kosovës, është në patronatin e Ministrisë së Arsimit të Arbërie Nagavcit.

    “Gjashtë çerdhe të reja në komunat Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Viti, Deçan, Gjakovë. Me qëllim të realizimit të prioritetit qeveritar për zgjerimin e infrastrukturës për edukimin parashkollor, Ministria e Arsimit konform legjislacionit në fuqi, ka hapur tenderin me datë 23 maj 2022 për ndërtimin e gjashtë çerdheve, me projekte tipike me dizajn të njëjtë sipas normave dhe standardeve për këtë nivel”, kishte shkruar Nagavci në profilin e saj në Facebook, më 27 maj, transmeton Gazeta Insajderi.

    Kontrata në fjalë ishte anuluar për shkak të rekomandimit të Agjencisë Kundër Korrupsion.

    “Më 23.05.2022, MASHTI ka publikuar ndërtimin e gjashtë Çerdheve për Komunat: Prishtinë; Gjilan; Viti; Deçan; Gjakovë dhe Podujevë, ku për shkaqe teknike (rekomandim i Agjencisë Kundërkorrupsionit-AKK)janë anuluar”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Arbërie Nagavcit.

    Opinioni i AKK, të cili e ka siguruar Gazeta Insajderi, thotë se duhet të anulohet i gjithë procesi për shkak të disa specifikave që nuk janë respektuar në tender, por nuk e specifikon çështjen e çerdhes në Viti.

    Kur u bë ​ri tenderimi për ndërtimin e çerdheve, më 08 korrik, aty përfshiheshin komuna e Prishtinës, Gjilanit, Podujevës, dhe ajo e Gjakovës, ndërsa mungonte Vitia, e në vend të saj ishte shtuar çerdhja në Koretin të Kamenicë.

    Kontrata e çerdheve peshon mbi 400 mijë euro, ndërsa ofertat për ndërtimin e tyre do të pranohen deri afërsisht në fund të muajit korrik.

    Sokol Haliti trego si nisi, dhe më pas u anluau ndërtimi i çerdhes

    Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka treguar për Gazetën Insajderi, se ministria e Arsimit kishte vendosur ta ndërtojë çerdhen në qytetin e tij.

    “Ministria e Arsimit ka vendosur për ndërtimin e çerdhes në Viti, është nda buxheti, është nda lokacioni. Në rundin e parë ka dalë tenderi edhe për Vitinë, më vonë ai është anuluar dhe herën e dytë nuk ka dalë për ne”, ka thënë Haliti.

    Ai ka thënë se drejtoresha e tij e Arsimit është interesuar mbi këtë çështje, dhe presin të marrin shpejt një përgjigje.

    “Drejtoresha e Arsimit ka qenë atje ka biseduar ka kërkuar të sqarohet kjo çështje, ata ende nuk i kanë dhënë sqarime drejtorësh, presim një përgjigje përfundimtare këtë javë”, ka thënë Haliti për Gazetën Insajderi.

    I pari i Vitisë ka thënë tutje se vendimi i parë i ministrisë duhet të zbatohet, sepse sipas tij është i ligjshëm, dhe se “nuk kanë të drejt të veprojnë kështu”.

    “Unë shpresoj që ata nuk e bëjnë këtë gabim, edhe pse këtë radh e kanë anshkaluar qëllimsht”.

    “Nuk dëshiroj më besu që kjo është bërë për arsye politike, por dicka atje ka, sekretarja permanente, dhe ministrja duhet ta japin arsyetimin”, ka thënë Haliti për Gazetën Insajderin.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark