Presidenti Donald Trump thotë se bota duhet të heqë dorë nga prirja për korrektesë në adresimin e problemit të terrorizmit. Ai u ndal tek sulmet e Londrës si shembull i një situate që kërkon qëndrim më të ashpër ndaj imigracionit.
Trump përsëriti thirrjet e tij drejtuar gjykatave që të mos pengojnë urdhrin e tij ekzekutiv për të kufizuar futjen në Shtetet e Bashkuara të shtetasve nga gjashtë vende me shumicë myslimane, shkruan VOA.
Presidenti postoi një numër komentesh në llogarinë e tij në Twitter, ku shprehte mbështetje për Britaninë, kritikonte kryebashkiakun e Londrës dhe shprehej për një luftë të ashpër ndaj terrorizmit.
“Duhet të ndalim këtë tendencë për të ruajtur korrektesën dhe t’i vihemi punës për të garantuar sigurinë e shtetasve tanë. Nëse nuk i thërrasim mendjes, gjërat do të shkojnë më keq,” shkruan presidenti.
Presidenti vuri në shenjestër edhe kryebashkiakun e Londrës, Sadik Khan, i pari mysliman që merr në dorë administrimin e kryeqytetit britanik: “Të paktën 7 të vdekur; 48 të plagosur nga sulm terrorist dhe kryebashkiaku thotë se “nuk ka arsye për t’u alarmuar” shkruan presidenti Trump në Twitter.
Për këtë Independent shkruan se Trump është kritikuar, pasi që ai në Twitter ka shkruar informacione të pakonfirmuara për sulmin terrorist të urës së Londrës, dhe gjithashtu ka përdorur këtë incident për të mbështetur ndalimin e tij të udhëtimit të myslimanëve.