Është pezulluar nga puna në QKUK logopedi Iljasa Fazliu, i cili abuzoi psiqikisht në ordinancën e tij një fëmijë 3 vjeçar të diagnostikuar me autizëm. I njëjti po ashtu është shkarkuar nga pozita e shefit të Logopedisë në Klinikën e ORL-së.
Lajmin e kanë konfirmuar për Gazetën Insajderi nga SHSKUK.
“Ju njoftojmë se pas informatës me shkrim nga drejtori i Klinikës së Otoringologjisë, në lidhje me situtatën e u.d. Shefit të Defektologjisë, i njëjti është pezulluar nga puna nga Komision Disiplinor i QKUK-së, në bazë të Ligjit NR. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative, nenit 85 paragarfi 1. Ndërkohë ju njoftojmë se i njëjti në kohën kur ka pranuar detyrën e u.d. shefit ka prezentuar licencën valide të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila figuron në dosjen e personelit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Insajderi ka publikuar audio incizimin se si logopedi nga Gjilani, Iljasa Fazliu abuzon psiqikisht me një vajzë të mitur në ordinancën e tij e cila është me autizëm. Në atë ordinancë, 3 vjeçarja po ofendohej e shahej nga vetë logoped Fazliu.