Dy ditë pas raportimit të Gazetës Insajderi se Ministria e Mbrojtjes ia ka dhënë tenderin për pastrimin e rrobave e mbulesave një kompanie ku hise ka edhe një shtetase e Republikës Popullore të Kinës, ky institucion ka njoftuar që e ka pezulluar këtë tender. Arsyeja është e përgjithshme pa dhënë detaje konkrete
Gazeta Insajderi
Të martën gazeta Insajderi raportoi se me një vendim për njoftimin e palëve, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar kompaninë me ortak kinez se ia ka dhënë tenderin për pastrimin e rrobave dhe mbulesave.
Këtë e kishte bërë edhe pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte kërkuar ri-vlerësim, pasi që ngriti dyshime mbi disa fatura të vet kompanisë “Eco Cleaning Corporation sh.pk.”, pronë e Arbër Gashit, po ku 20 përqind të aksioneve i ka edhe shtetasja kineze, Wenyun Yang.
Edhe pas ri-vlerësimit, Ministria e Mbrojtjes përsëri vendosi që të nxirrte një vendim që po këtë kompani e shpallte të suksesshme dhe i kishte thënë në letër zyrtare se “Juve ju është dhënë kontrata”.
Pavarësisht kësaj, dy ditë pas raportimit të Gazetës Insajderi, kjo ministri ka dalë me një njoftim të ri.
“Ministria e Mbrojtjes ju njofton se bën pezullimin e aktivitetit të prokurimit… Pasi që kemi pranuar kërkesë për rishqyrtim nga Operatori Ekonomik të interesuar për këtë aktivitet të prokurimit, të cilët pretendojnë se Autoriteti Kontraktues ka bërë shkelje…”, thuhet në njoftimin që mbanë datën 27 korrik 2023.
Në këtë njoftim kjo ministri nuk ka treguar se për çfarë shkeljesh konkretisht bëhet fjalë, dhe as për çfarë pretendimesh, pos që ka njoftuar që e pezullon këtë tender dhe se për procedurat e mëtutjeshme do të njoftohen palët me kohë.
Insajderi kishte dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes që kur u hapën ofertat për këtë tender, duke e njoftuar edhe për faktin që aksione në këtë kompani ka edhe një qytetare nga Republika Popullore e Kinës, por kjo ministri deri tash nuk ka dhënë përgjigje.
Qeveria e Kosovës, por edhe vet Ministria e Mbrojtjes haptazi e kanë shprehur aspiratën e tyre për anëtarësim në aleancën më të madhe ushtarake në botë, NATO-n, por që kjo e fundit po ashtu haptazi nuk e ka fshehur që është në garë me Kinën dhe e sheh si rrezik këtë shtet.
Lexoni të plotë hulumtimin e Insajderit
E rrezikshme | FSK-ja shpërblen me tender kompaninë me ortak kinez