Kur në vitin 2013, Hashim Thaçi atëherë kryeministër i vendit kishte hapur profilin e tij në rrjetin social Facebook, meritat ia kishte atribuuar djalit të tij, Endritit.
“Më erdhi koha edhe mua ta përdor këtë rrjet social, pasi që djali im Endriti, tash e një kohë, është i zemëruar pse nuk jam edhe unë prezent në rrjete sociale. Në ndërkohë, falënderova edhe zyrtarët e lartë të Facebook që e përfshinë Kosovën në listat dhe statistikat e tyre”, kishte shkruar Thaçi në Facebook.
Ndikimin e të birit të tij sa i përket përcjelljes së trendëve teknologjike, Thaçi, tash president i Kosovës, e kishte cekur edhe për punën e fotografive “selfie” të cilat Thaçi i ka të shpeshta.
“I takon merita sepse në disa raste më ka qortuar që të futem edhe në botën Facebook, të Twitter e gjithashtu, tash së fundi edhe “Selfie”, pati thënë Thaçi në emisionin “Zona B” në Klan Kosova me 13 mars 2014.
Tash që Thaçi si president është dorëhequr nga të gjitha postet qeveritare dhe postit të kryetarit t PDK-së, pasardhësi i tij, Kadri Veseli thotë se po ndikohet gjithashtu nga i biri, që të bëhet pjesë e rrjeteve sociale.
Bëhet fjalë për Instagram, në të cilin Veseli të premten ka hapur profilin e tij zyrtar. Për këtë meritat ia ka lënë të birit.
“Pas këmbënguljes së djalit të madh dhe sugjerimeve të vazhdueshme të aktivistëve të Rinisë Demokratike të Kosovës vendosa që ta hap edhe unë një llogari personale në Instagram. Ju ftoj të më ndiqni”, ka shkruar Veseli.
Por Veseli për dallim prej Thaçit nuk ka asnjë fotografi me të birin e as nuk ia ka përmendur emrin./Insajderi.com