×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Pas vizitës në Prishtinë, Lajçak sot në Beograd

    Insajderi
    05 July 2023 - 09:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot do të qëndrojë në Beograd, ku pritet të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Këtë vizitë ai e zhvillon me kërkesë të Shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, raporton Klan Kosova.

    Të martën ai qëndroi në Prishtinë, me ç’rast u takua me Presidenten Vjosa Osmani, takim ky të cilin e cilësoi si të dobishëm.

    “Në kuadër të vizitës sime, u takova me Presidenten Vjosa Osmani. Ne patëm një diskutim të dobishëm për situatën në veri të Kosovës dhe mundësitë për deeskalim përgjatë kërkesës së 3 qershorit, si dhe rëndësinë e koordinimit me miqtë dhe aleatët e Kosovës”, ka shkruar Lajçak në llogarinë e tij në Twitter.

    Gjatë qëndrimit të tij njëditor, ai ka takuar edhe komandantin e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.

    Ata kanë diskutuar lidhur me situatën e përgjithshme dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, u takua me Miroslav Lajçak, Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, dhe Shkëlqesinë e tij Tomas Szunyog, Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë/ Përfaqësues Special i BE-së”, thuhet në një njoftim të KFOR-it në Facebook.

    “Ata diskutuan përditësimin e fundit për situatën e përgjithshme dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet tutje.

    Takimin e fundit në kuadër të kësaj vizite, emisari evropian e zhvilloi me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ata kanë diskutuar rreth mundësive për qetësim të situatës në veri të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për katër komunat me shumicë serbe.

    Kurti, gjatë takimit me Lajçakun, ka thënë se masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta. Sipas Kurtit, masat e vendosura ndaj Kosovës e bëjnë dialogun asimetrik, teksa shtoi se Kosova nuk kontribuon në përshkallëzim dhe se sipas tij, policia veç e zbaton ligjin.

    Kujtojmë se nga Bashkimi Evropian janë duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që kryetarët e rinj të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, t’i ushtrojnë funksionet e tyre jashtë ndërtesave komunale.

    BE-ja po ashtu kërkon nga Qeveria që t’i largojë forcat speciale nga katër komunat në veri të Kosovës, në mënyrë që sa më parë të krijohen kushtet për shpallje të zgjedhjeve të parakohshme.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark