Insajderi
Lajme

Pas vrasjes së dy personave në Gjilan, policia sekuestron armë e qindra fishekë

Insajderi
10 October 2026 - 09:14
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pas vrasjes së dy personave në Gjilan, policia sekuestron armë e qindra fishekë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për rastin e vrasjes së dy personave dhe plagosjes së një tjetri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku i dyshuari dyshohet se ka përdorur armë zjarri.

Sipas raportit policor, gjatë bastisjeve në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit janë sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe 1,600 diabolla për pushkë pneumatike.

Në veturën e të dyshuarit është sekuestruar edhe një pistoletë, me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale. Për këtë armë, i dyshuari kishte leje të skaduar.

Në dy vendet e ngjarjes, njësitë policore kanë sekuestruar edhe katër fishekë, 21 gëzhoja dhe pesë predha. Si prova materiale janë marrë edhe disa telefona celularë dhe pajisje DVR të kamerave të sigurisë.

Rasti ka ndodhur më 9 tetor, rreth orës 14:26, në fshatin Livoç i Ulët. Sipas Policisë, i dyshuari ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe vëllain e saj, të cilët kanë vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Ndërsa personi i tretë, djali i axhës së bashkëshortes së të dyshuarit, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar për trajtim mjekësor në Spitalin e Gjilanit.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark