Kryefamiljari i gjashtë anëtarëve të familjes Kqira në Prizren, të akuzuar për fajde, ka reaguar ndaj dëshmive të dhëna në gjykatë kundër grupit prej 14 personave që dyshohen se përbëjnë një grup të madh të organizuar kriminal.
Katër nga të akuzuarit e kësaj familje Tunë, Gjon, Marian dhe Kastriot Kqira që 18 muaj vazhdojnë të jenë në paraburgim. Ndërsa paraburgimi u është ndërprerë Gjekson e Gëzim Kqirës, të cilët po vazhdojnë të gjykohen në liri.
Kryefamiljari, Gjergj Kqira, ka bërë një reagim publik nëpërmjet së cilës thotë se dëshiron të tregojë se këto akuza nuk qëndrojnë.
“Fillimisht na lejoni të sqarojmë se pasuria e familjes tonë nuk është pasuri marramendëse siç pretendojnë të tjerët, ne nuk kemi dhe as nuk kemi pasur ndonjëherë jetë luksi, por jeta jonë ka qenë gjithmonë me punë, me të mirat që i kemi krijuar vetë, natyrisht të varfër s’kemi qenë asnjëherë”, shkruan Gjergj Kqira, pasi reagon ndaj raportimeve mediale.
Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.
Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.
Por sipas Gjergj Kqirës, i cili një pjesë të madhe të tregimit ia kushton paraardhësve të familjes që i portretizon si njerëz të punës dhe ndershmërisë.
Babai i Gjergjit, apo gjyshi i të akuzuarve për fajde, sipas rrëfimit të kryefamiljarit ka pasur një furrë në qendër të Zagrebit në Kroaci dhe kishte edhe një dyqan në Bosnje dhe Hercegovinë ndërsa axha i ture merej me rritjen e deleve në fshatin Serbicë e Epërme.
“Puna ecte gjithmonë mirë, një sezonë me shitblerjen e pemëve dhe perimeve ka shkuar deri në vlerën e 100 mijë markave gjermane”, rrëfen kryefamiljari.
Përderisa prokuroria i akuzon vëllezërit se bashkë me grupin e madh, kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.
Por rrëfimi i kryefamiljarit është krejt ndryshe. Pasuria e tyre sipas kryefamiljarit është rritur nga një restorant në Ulqin.
“Pas disa vitesh punë e fitime të disa vëllezërve në Gjermani, ata vendosën të kthehen dhe vendosën të marrin një restorant në Ulqin aty ku do të angazhoheshim e gjithë familja. Fitimet në atë kohë ishin të mëdha dhe puna në restorant na siguronte të ardhurat tona, pasi që asokohe Ulqini frekuentohej nga një numër i madh i turistëve nga e gjithë Evropa. Për vite me radhë familja kurseu paratë nga gjithë ajo punë disavjeqare, derisa në Ulqin filloi periudha kur turizmi filloi të bie dhe kështu ne u kthyem sërish në vendin tonë, në Prizren”, shkruan Gjergj Kqira.
Në të njëjtën kohë vazhdon rrëfimi i tij, është zgjeruar biznesi duke hapur edhe dyqanin e rrobave(tekstilit) emri i të cilit ishte ‘6 vëllezërit’.
“Falë Zotit bizneset po ecnin shumë mirë dhe fitimet po rriteshin shumë. Nga kërkesa e madhe e blerësve, njëri nga vëllezërit udhëtonte çdo javë në Turqi për t’u furnizuar me mall, madje udhëtimi i tij bëhej me autobus vetëm me qëllim që të mos bënim shpenzime të panevojshme dhe gjithmonë duke e ruajtur traditën e kursimit”, rrëfen Gjergj Kqira.
Me kursimet e mbledhura sipas Kqires familja arriti të blejë kafiterinë “Shatërvan 2”.
“Kjo erdhi pas një marrëveshje që familja jonë bëri me ish pronarin e lokalit me të cilin njiheshim personalisht. Të gjithë ata që jetojnë me vite në qytetin e Prizrenit e dijnë se sa fitime sjell ky lokal. Pra me një fjalë pas shumë punëve dhe angazhimeve pa hile familja jonë arriti të bëhej pronare e këtij lokali”, shkruan ai.
Rrugëtimi drejt bizneseve të tjera të kësaj familje sipas kryefamiljarit do të vazhdonin me tregtimin e arit dhe blerjen e lokalit “Hollywood” në qendër të Prizrenit.
“Lokali në fjalë vazhdon të punon ende por tani me emrin ‘Kristal’. Bizneset tona përparonin vazhdimisht dhe një fitim e sillte tjetrin. Përpos bizneseve që ne i zotërojmë edhe sot e që luhaten kohë pas kohe nga kriza ekonomike në Kosovë, ne vazhdojmë t’i qëndrojmë besnik punës tonë në fshat me bujqësi e blegtori, duke punuar tokën e gjithashtu duke u marrë me tri ferma që i posedojmë tani. Toka jonë e punuar përpos që siguron ushqim për tri fermat tona, ajo sjellë edhe mijëra kilogram grurë që i dorëzojmë në mullinjë vit për vit”, ka shkruar Gjergj Kqira.
Dhe krejt në fund, ai shkruan se familja e tij shpreson se drejtësia do ta zbardhë këtë çështje të familjarëve të tij./Insajderi.com