×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK dënon djegien veturës së LDK-së

    Insajderi
    07 March 2016 - 12:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partia Demokratike e Kosovës e cilëson si metodë anarkiste djegien e veturës së Lidhjes Demokratike të Kosovës që ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit.

    Përmes një reagimi, kjo parti thotë se ky akt ka për qëllim frikësimin politik.

    “Djegia e veturës së shefit të grupit parlamentar të LDK-së, z.Ismet Beqiri, përbën një veprim kriminal. Ky veprim, vazhdimësi e sulmeve të kësaj natyre që tash e disa kohë po ndodhin në Kosovë, ka qëllime të qarta të frikësimit politik dhe krijimit të pasigurisë në mesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie e cila ka një koalicion qeverisës me LDK-në.

    “Partia Demokratike e Kosovës, kërkon nga institucionet përkatëse të ligjit që të veprojnë me vendosmëri në zbardhjen e këtij rasti dhe të gjitha rasteve të tjera dhe kryesit e tyre t’i sjellin para drejtësisë”.

    Tutje, PDK thotë se qëllimet politike mund të arrihen vetëm përmes proceseve demokratike, e jo me metoda të dhunës.

    “Dhuna, kërcënimet dhe frikësimi janë metoda antidemokratike, anarkiste dhe si të tilla krejtësisht të papranueshme për institucionet dhe qytetarët. Kosova është shtet demokratik dhe ligjor, dhe vetëm përmes proceseve demokratike dhe respektimit të ligjit mund të arrihen qëllimet politike. Kush mendon të kundërtën do të zhgënjehet”.

    Sot në orët e hershme të mëngjesit, një veturë që sipas Ismet Beqirit është pronë e LDK-së është djegur afër banesës ku ai jeton.  Beqiri ka thënë se vetura e tij është djegur me koktej molotovi.

    Kjo është vetura e tretë e zyrtarëve shtetërore që digjet në javët e fundit. Fatin e njëjtë si vetura e Beqiti e ka pasur edhe ajo e Memli Krasniqit, Adem Grabovcit dhe Bajram Gecajt./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark