Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të dorëzojë kallëzim penal ndaj kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit.
Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, ka thënë se kallëzimi penal bëhet për shkak se Dehari nuk po e ushtron detyrën e tij në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
“PDK-ja sot do të depozitojë një kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari, i cili, për shkak të moshës, është kryesues i seancës konstituive, detyrë të cilën nuk po e ushtron sipas Rregullores së Kuvendit.
Përkundër faktit se ne kemi dërguar disa letra, ai nuk e ka ftuar seancën. Do të paraqesim kallëzim penal për shpërdorim të detyrës.
Ai duhet ta dijë se nuk është i pari i fisit, por kryesues i një organi të shtetit.
Ai nuk mund të thirret në bazë të marrëveshjes politike; nuk duhet ta shkelë Rregulloren e Kuvendit”, ka deklaruar Gruda.