Partia Demokratike e Kosovës është e sigurt në fitoren e saj në balotazhin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që do mbahet të dielën në Komunën e Drenasit.
PDK ka bërë sot përmbylljen e fushatës zgjedhore në një tubim me qytetarët e Komunës së Drenasit në Sallën e Kulturës në Drenas.
Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se më 4 dhjetor është dëshmuar fuqia e pakonkurrencë e PDK-së në Drenas, ndërsa të dielën, më 18 dhjetor, kur mbahet raundi i dytë i votimeve, do të festohet fitorja e madhe e PDK-së dhe Kandidatit të saj për Kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovcit.
“PDK nuk ka pasur asnjë mëdyshje dhe nuk e ka asnjë mëdyshje se Drenasi do të jetë serish unik dhe në mbështetje të PDK-së”, ka deklaruar Veseli.
“Të dielën, do të dalin të gjithë qytetarët e Drenasit, të bashkuar. Dhe, së bashku, do ta festojmë fitoren e madhe për Drenasin”, ka shtuar ai.
Kandidati i PDK-së për Kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ndërkaq, në fjalën e tij, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe qytetarinë e treguar në këtë proces zgjedhor, ndërsa i ka ftuar ata që me qetësi dhe masivisht të dalin për të votuar më 18 dhjetor, kur mbahet raundi i balotazhit.
Ai ka rikujtuar se i këto ditë, lagje më lagje, fshat më fshat, së bashku me Kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, kanë shpalosur prioritetet e qeverisjes për arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, bujqësinë, shërbimet publike, rregullimin e ambientit, për një Drenas me jetë më të mirë, me kushte më të mira, me perspektivë dhe një të ardhme të sigurt. /Insajderi.com