Kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme në të cilët është kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta marrë më seriozisht veriun e vendit.
Kjo mbledhje u ftua pas fillimit të punimeve për ndërtimin e qindra shtëpive në të ashtuquajturën Lugina e Diellit nga qeveria e Serbisë.
Në një komunikatë për media, PDK në Mitrovicë thotë se revolta e qytetarëve të asaj ane është në rritje dita ditës.
“E në këtë drejtim po kontribuon qeveria e Serbisë, e cila me projektet e saja po e kolonizon pjesën veriore pa u penguar fare as nga Qeveria e Kosovës as nga ndërkombëtarët”, thuhet në komunikatë.
“Ishte konstatim i të gjithë anëtarëve të kryesisë së degës në Mitrovicë dhe kryetarëve të degëve të PDK-së nga lokalitetet e pjesës veriore se tani dy vjet e gjysmë nuk është ndërtuar asnjë shtëpi për shqiptarët në pjesën veriore si dhe gjendja sociale e qytetarëve, për shkak të diskriminimit që po i bëhet është vështirësua tejmase aq sa për një numër është bërë padurueshme”, thuhet në komunikatën e PDK-së në Mitrovicë.
“Është e habitshme se si lejohet një gjë e tillë për serbët, të cilët e shfrytëzojnë edhe buxhetin e Kosovës për këtë qëllim, ndërsa ndalohet për banorët shqiptarë që të kthehen në pronat e tyre të shkatërruara nga lufta dhe të ndjekur me dhunë vitet e pasluftës, e drejtë garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, andaj ne, partia më e madhe në Mitrovicë bashkë me kryetarët e kësaj partie nga lokalitetet veriore të Kosovës shprehim indinjatën tonë të thellë dhe kërkojmë urgjentisht të ndërpriten këto veprime”./Insajderi.com