×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    PDK s’e lëshon pushtetin – fiton tetë komuna dhe merr hise në plot të tjera

    Insajderi
    12 January 2022 - 15:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi

    Ishte menduar se Partia Demokratike e Kosovës e kishte humbur pushtetin dhe fuqinë, sidomos pas arrestimit të Hashimit Thaçit dhe Kadri Veselit, dy prej figurave kyçe që e mbanin partinë.

    Por, e kundërta u dëshmua në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, ku PDK doli partia e dytë me 17.09% të votave, për ta konfirmuar pushtetin në zgjedhjet lokale të vjeshtës me tetë komuna të fituara.

    Partia më e madhe opozitare që tash për prijës e ka Memli Krasniqin, fitoi më së shumti komuna nga partitë shqiptare, 8 nga 38.

    PDK në rundin e parë e mori Ferizajn, Skenderaj, Hanin e Elezit, dhe e rimori Mitrovicën e Jugut, ndërsa  në të dytin e fitoi Drenasin, Kaçanikun, derisa e rifitoi Prizrenin dhe Vushtrrinë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Fuqia e PDK-së nëpër komuna

    Si një nga partitë më të vjetra në vend, Partia Demokratike e Kosovës, duket se di si mos ta lë veten pa pushtet.

    Përpos komunave në të cilat ka dalë e para, kjo parti do të jetë në bashkëqeverisje edhe në disa të tjera.

    Deri tash, ndonëse pa shumë detaje koalicionet e PDK-së me partitë tjera, janë konfirmuar në Prishtinë, Gjilan dhe Podujevë, Viti.

    Gazeta Insajderi për komunat e fituara dhe koalicionet e arritura ka kërkuar komente nga zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, por nuk kanë kthyer përgjigje.

    Çka do t’i takojë PDK-së në Prishtinë?

    Partia Demokratike e Kosovës e nisi vitin me negociata, dhe atë për të marrë hise hiç më pak se në komunën e Prishtinës.

    Drejtuesit e PDK-së u pajtuan në mbrëmjen e 4 janarit që ta mbështesin LDK-në në zgjedhjen e kryesuesit, në mënyrë që ata ta merrnin pozitën e nënkryetarit dhe pesë drejtori.

    Ndonëse marrëveshja finale ende nuk është zbardhur, mësohet se PDK do ta ketë drejtorinë e Inspeksionit, atë të Planifikimit Strategjik, drejtorinë e Arsimit, të Kluturës dhe atë të Shërbimeve Publike, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kaq drejtori do të merr PDK në Gjilan

    Pozita e nënkryetarit dhe katër drejtori do t’i takojnë PDK-së në Gjilan pas koalicionit të arritur me Lëvizjen Vetëvendosje.

    Kjo e fundit kishte nevojë për ndihmën e Partisë Demokratike, pasi nuk kishte votat për ta zgjedhur kryesuesin e Kuvendit.

    Për ta zhbllokuar këtë proces, PDK-së iu premtuan katër drejtori, duke marrë pushtet të konsiderueshëm nga Vetëvendosja, e cila e ka fituar komunën më të madhe te Anamoravës, shkruan Gazeta Insajderi.

    PDK me pushtet edhe në Podujevë

    Dy herë nuk mjaftuan që të zgjedhet kryesuesi i kuvendit në Komunë të Podujevës, për këtë u desht që Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës të lidhin koalicion.

    Me 19 vota pro asnjë kundër dhe asnjë të pavlefshme asamblisti i PDK-së në Podujevë, Hilmi Hoxha, është zgjedhur në raundit të tretë të votimit kryesues i Kuvendit Komunal të Podujevës pas zhvillimit të procesit të votimit, dy javë më parë.

    Si ‘shpërblim’ për veprimin e  PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje, ia ka ndarë dy drejtori, shkruan Gazeta Insajderi.

    Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet lokale të tetorit ka marrë 161 mijë e 645 vota, duke dalë partia e tretë sipas ulëseve komunale që ka fituar./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark