Ilir Kërçeli, këshilltari politik i kryekuvendarit Glauk Konjufca, ka pretenduar se Komuna e Prishtinës për ta ulur suficitin buxhetor për këtë vit, po japin subvencione për miq dhe familjarë.
Kërçeli këtë e ka deklaruar me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka bërë të ditur se vitin që shkoi udhëheqja e Përparim Ramës shënoi rekord në deficit buxhetor, me mbi 49 milionë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
“Nëse shohim raportet financiare, del se nga viti 2021 Komunës së Prishtinës i patën tepruar 38 milionë euro suficit buxhetor, të cilat i kishin bartur në vitin 2022, me arsyetimin se ishte pandemia dhe nuk ishte arritur të shpenzohej ky buxhet. Kurse në vitin 2022 kur erdhi qeverisja e re, suficiti buxhetor lëre që nuk ishte ulur, por kishte thyer rekord me 49 milionë euro të cilat poashtu u bartën në vitin 2023 me arsyetimin se qeverisja e kaluar kishte planifikuar keq”, ka deklaruar ai.
“E tash për të mbuluar marren, kanë filluar të japin subvencione për shokë e familjarë, si në aksham-pazar, me shpresën se do ta ulin pakëz suficitin rekord që do ta kenë edhe sivjet”.
Sipas tij, deklarimet për bllokim të investimeve janë jo-serioze, meqë komunës i trepon çdo vit buxhet për investime kapitale. /Insajderi.org/