×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Pëlqime rekord në fotografinë historike që publikoi Metsola

    Insajderi
    10 February 2023 - 13:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fotografia e publikuar nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ku shihet bashkë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe në sfond të tyre është fotografia e Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, është bërë fotografia me më së shumti pëlqime në faqet e udhëheqëses së PE’së.

    Në postimet e tjera në Instagram, numri i pëlqimeve që merr Metsola shkon deri në 12 mijë, por që në këtë foto ajo numëron rreth 140 mijë.

    Kaq shumë pëlqime s’kishte marrë as fotografia e parë e saj me Zelenskyn, kur kishte shkuar në Ukrainë.

    Edhe në profilin e saj në Facebook, Metsola ka marrë më shumë pëlqime se zakonisht me këtë fotografi. Deri tash, ka mbi 2 mijë e 500, derisa në postimet e tjera, numri i pëlqimeve sillet rreth 1 mijë.

    Kjo fotografi është shpërndarë shumë në rrjete sociale edhe nga kosovarët. Është shpërndarë edhe nga figurat kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe të partive të tjera.

    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur këtë foto të ditës, derisa e ka shoqëruar edhe me thënien e famshme të Rugovës, “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.

    Ndryshe, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkuar në Bruksel për të vazhduar lobimin për armë më të avancuara nga aleatët evropianë, duke i thënë Parlamentit Evropian se vendi i tij po lufton “kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”.

    Gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian, presidenti ukrainas falënderoi BE-në për ndihmën që blloku ka dhënë që kur Rusia filloi fushatën agresive të pushtimit të vendit të tij.

    “Faleminderit”, tha Zelensky teksa ligjvënësit e BE-së duartrokitën gjatë.

    “Ne po mbrohemi në fushëbetejë, ne ukrainasit, së bashku me ju … kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”, tha ai.

    Javëve të fundit, Ukraina ka marrë premtime nga vendet perëndimore se do t’i sigurojnë tanke luftarake, por ka bërë thirrje për armatim edhe më të avancuar, duke përfshirë avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë. Zelensky pritet gjithashtu të adresojë nevojën për fillim të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE gjatë samitit.

    “Ukraina do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, një Ukrainë fitimtare”, tha Zelensky në Parlamentin Evropian.

    Kryetarja e Parlamentit të BE-së Roberta Metsola, teksa iu drejtua Zelenskyt, tha se “ju duhet të fitoni dhe tani vendet anëtare të BE-së duhet të konsiderojnë hapin e ardhshëm të shpejtë, sigurimin e sistemeve me rreze të gjata dhe avionëve që ju nevojiten për të mbrojtur lirinë tuaj”.

    Gjatë vizitës së tij në Parlamentin britanik më 8 janar, Zelensky u bëri thirrje në mënyrë specifike liderëve perëndimorë që të siguronin avionë luftarakë.

    “Unë ju bëj thirrje juve dhe botës, me fjalët e thjeshta por të rëndësishme – avionë luftarakë për Ukrainën, krahë për lirinë”, tha Zelenskiy. “Ne e dimë se liria do të fitojë, ne e dimë se Rusia do të humbasë”.

    Presidenti ukrainas filloi një turne të papritur në Evropë më 8 shkurt, me vizita në Britani dhe Francë, duke shënuar udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga pushtimi rus, pothuajse një vit më parë

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark