Pas shumë kohësh në arrati ka rënë në prangat e policisë greke biznesmni rumun Dragos Savulescu, bashkëshorti i modeles shqiptare, Angela Martini.
Dragos Savulescu i dënuar me 5.5 vite burg për përfshirjen e tij në një skandal të madh ekonomik në Rumani, është vënë në pranga teksa shijonte jetën e luksit në Greqi, në Mykonos.
Sipas medias greke, Protothema, bashkëshorti i Angela Martinit jetonte mes luksit në ishullin grek, duke shpenzuar shifra marramendëse në ristorante dhe në jahte.
Akuza, arratia dhe arrestimi:
Dragoș Savulescu në fillim të vitit 2019 u arrestua dhe u dënua me 5.5 vjet burg për përvetësim, së bashku me ish-kryebashkiakun e Konstancës, Radu Mazare, Cristi Borcea, ish-president i Dinamos dhe të pandehur të tjerë që u shpallën fajtorë për përvetësimin e një totali prej 114 milionë eurosh.
Pas vendimit të autoriteteve gjyqësore, ai u arratis në Itali, konkretisht në Napoli, për t’u arrestuar përfundimisht ditën e djeshme në Mykonos nga Rojet Bregdetare, të cilët së bashku me zyrtarët e Nën Drejtorisë së Policisë së Mykonos organizuan një operacion të madh për arrestimin e tij.
Urdhri i arrestit për Savulescu u lëshua nga Interpoli me kërkesë të autoriteteve rumune për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe për mashtrim kundër shtetit.