×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Për çfarë është dialogu…”- Këshilltarët e Kurtit nervoz me BE’në, reagon edhe Zulfaj

    Insajderi
    05 February 2024 - 08:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, ka reaguar ndaj zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stanos, pas reagimit për mbylljen e objekteve paralele komunale dhe OJQ’së së dyshimtë pranë stacionit të Policisë së Kosovës.

    Në thirrjen që çështjet të adresohen ndërmjet dialogut, Zulfaj ka dyshuar në formatin e dialogimit me Serbinë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Le të mos e ngatërrojmë as periudhën në të cilën jetojmë, as se për çfarë është dialogu në Bruksel, Peter. Institucionet e drejtuara nga serbët ia mbathën me ushtrinë serbe në vitin 1999 pasi kryen spastrim etnik dhe gjenocid, qindra masakra dhe vranë mijëra civilë, përfshirë 1,133 fëmijë”, ka thënë ai në platformën ‘X’, ish-Twitter, shkruan Gazeta Insajderi.

    BE-ja, në anën tjetër, ka thënë se i ka parë me shqetësim të madh operacionet e Policisë në zyrat e institucioneve të drejtuara nga Serbia.

    “BE-ja i kërkon Kosovës edhe një herë t’i shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    BE-së dje i ka reaguar edhe një këshilltare tjetër e Kurtit. Ardita Sinani, ka thënë se Bashkimi Evropian po përdor standarde të dyfishta, kur bëhet fjalë për serbët e Kosovës dhe shqiptarët në Luginë.

    Sinani tha se BE-ja nuk po reagon ndaj spastrimit etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

    “Apo për mospërmbushjen e marrëveshjeve të miratuara prej saj për Luginën e Preshevës, siç janë: integrimi, rimëkëmbja e shpejtë ekonomike, kthimi i popullatës së zhvendosur dhe çmilitarizimi i rajonit nga ana e njësive speciale të sigurisë?”, tha ajo. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark