×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Për dashurinë, plot dhunë me motive të ulëta

    Insajderi
    14 February 2017 - 21:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kanë kaluar tri vite që kur kolektivi artistik “Haveit” kishin bërë thjeshtë një fotografi, duke u puthur. Sikur për ta përmbushur fjalinë e tyre, katër motrat u vunë para akuzave, fyerjeve e kërcënimeve për varje e heqje koke. Arsyeja, siç edhe e thonë “Haveit” është morali. Dhe kanë të drejtë.

    “Në këtë ditë të ashtuquajtur ‘Dita e Dashurisë’ . Kjo shoqëri ende refuzon dashurinë e gjinisë së njejtë. Le të mbizotëroj dashuria”. Haveit, 14 shkurt 2014.

    Le të ndalemi të morali. Një nga problematikat më të mëdha të shoqërisë kosovare kur vjen puna te dashuria, ose liria për të dashuruar.

    Nuk është se morali është pengesë vetëm për lirinë e të dashuruarit të personit të gjinisë se njejtë.

    Mbi të gjitha morali është një pjellë e një urrejtje të mbjellë në shoqërinë e cila dashurinë nuk e respekton. Pa marrë parasysh se çfarë dashurie është ajo.

    14 shkurti e qet në pah më së miri këtë mungesë të respektimi të tjetrit. Përmes histerisë së dhuratave dhe shprehjes së rreme të dashurisë.

    E këtë më së miri e fakton edhe organizimi “1 miliard në këmbë” që tregon se cila është gjendja e  të dashuruarve, të cilët nga urrejtja kalojnë në dhunë.

    Pikërisht dhuna është sinonimi i dashurisë në shoqërinë kosovare. Sipas statistikave të organizatorëve të “1 miliard në këmbë” një në tri gra në planet, dhunohet apo rrihet gjatë jetës së saj.

    Dhe këto statistika zakonshëm janë bërë normale. Pikërisht ky është problemi, sepse dhuna është bërë normale.

    Çdo ditë të lume, statistikat e Policisë së Kosovës në raportin e saj 24 orësh, figurojnë rastet e dhunës. Dhunë e çfarëdo lloji: prej rrahjes për motive të ulëta deri tek tentim vrasjet për motive edhe më të ulëta.

    Gjithmonë më ka tërhequr zbërthimi i kësaj fjalie: motive të ulëta.

    Në biseda me kolegë dhe pjesëtarë të Policisë e gjykatave e kam kuptuar krejt vonë se motivet e ulëta në fakt janë të emëruar në atë formë që të përthekojnë një seri të veprimeve të dhunës të një burri ose gruaje në raport me tjetrin, bazuar në moral. Se çka i takon gruas, dhe çka i takon burrit.

    Natyrshëm bazuar në moralin tonë, burrit i takon dhuna, gruas ta durojë atë.

    Por çka në të vërtetë janë motivet e ulëta në shoqërinë kosovare? Janë veprime që udhëhiqen prej disa parimeve ose rregullave të moralit që e vendosin dikë mbi tjetrin. E kësisoj dhe dhuna e dikujt ndaj tjetrit është normale.

    Rastet e dhunës me motivet e ulëta rrjedhin si pasojë e mungesës së dashurisë ndaj vetvetes. Sepse nuk ka kuptim që dhuna të arsyetohet dhe nuk ka logjikë që arsyet të jenë normale për dhunën ndaj tjetrit.

    Andaj edhe festimi i 14 shkurtit duke blerë dhurata dhe duke dërguar partnerin ose partneren në një darkë është një veprim i rremë, për të mbuluar dhunën në vetëm një ditë.

    Nuk ka dhuratë që mbulon turpin e shoqërisë kosovare që lejon dhunën që bëhet për motive të ulëta.

    Cila dhuratë e bënë gjendjen më të mirë për neve? Cila dhuratë e arsyeton faktin se ne jetojmë në një shoqëri kur vetëm 4 për qind e pronës është e regjistruar në emër të femrave?

    Apo sesi shumica e grave të ndara nga burri nuk u lejohet të kenë të drejta të barabarta me burrin pas ndarjes.

    Statistikat tregojnë se mbi 90 për qind e rasteve të ndarjes së çifteve, baballarët nuk i mbulojnë shpenzimet e fëmijëve të tyre. Duke i lënë fëmijët e tyre në mëshirë të gjendjes mizore të kësaj shoqëri,e që i konsideron këta fëmijë si “kopila”. Çfarë dhurate e mbulon këtë turp?

    Nuk ka kuptim asnjë dhuratë asnjë shprehje e dashurisë sidomos si krenari publike për dashurinë, kur secili prej nesh kemi në familjet tona “të dashuruarit” që në fakt nuk e dinë as kuptimin e saj. Ose kuptimi i dashurisë për ta është nënshtrimi i tjetrit ndaj urdhrave të tyre.

    Nuk ka kuptim festimi i dashurisë kur gjatë tërë vitit në emër të dashurisë ushtrohet dhunë.

    Çfarë ju thotë fjalia më e përdorur tek ne kur tentohet të arsyetohet dhuna: e rreh sepse e don.

    Ose rastet e shumta kur dhuna që ka quar shpeshherë në vrasje ka mundur të parandalohet, por nuk është parandaluar sepse “është punë e burrit”.

    Mbi të gjitha festimi i dashurisë në një kohë kur asnjë qytetar i këtij vendi nuk ka liri të jetojë apo shprehë dashurinë është e pakuptimtë.

    Njashtu sikurse dhuratat që janë më shumë rikujtim i “dhunës së përditshme”. Dhurata me motive të ulëta./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark