Për dhjetë ditë 233 të vdekur nga koronavirusi në Kosovë - asnjë dorëheqje për situatën e shkaktuar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Për dhjetë ditë 233 të vdekur nga koronavirusi në Kosovë – asnjë dorëheqje për situatën e shkaktuar

    Insajderi
    10 September 2021 - 22:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Venko Filipçe zëvendësministrit, Ilir Hasani dhe drejtori i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi kanë dhënë sot dorëheqje për arsye morale për tragjedinë e ndodhur ne spitalin e Tetovës ku humbën jetën 14 persona nga zjarri që përfshiu spitalin modular.

    Ndërkohë, Kosova është duke përjetuar momentin më të vështirë që nga fillimi i pandemisë së Covid 19, ku vetëm në dhjetë ditët e para të shtatorit janë regjistruar 233 viktima nga ky virus, me shumicën prej tyre të prekur nga varianti Delta i cili për herë të parë u konfirmua në Kosovë me 29 qershor të këtij viti.

    Totali i vdekjeve që nga shfaqja e pandemisë ka arritur në 2 mijë e 758 viktima, shkruan Insajderi.

    Përkundër situatës së rënduar dhe mos menaxhimit të duhur nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministria e Shëndetësisë askush nuk është shkarkuar e aq më pak të ofrojë dorëheqje morale.

    Madje, të premten, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një video-mesazhi tentoi ta fajësojë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, më konkretisht drejtorin, Naser Ramadani për situatën alarmantë të shkaktuar nga koronavirusi.

    “…Edhe atëherë edhe sot ne kemi vepruar në përputhje me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe me situatën në terren ku numri i rasteve të reja ishte shumë i ulët deri në fillim të muajit gusht e madje gjatë tërë dhjetë ditëshit të parë”, është shprehur Kurti po në asnjë moment s’përmendi largime.

    Pas më shumë se dy muajve, përgjatë të cilëve 592 qytetarë humbën jetën nga Covid 19, i pari i ekzekutivit gjeti kohë të vizitojë prej së afërmi Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, për t’i falënderuar për punën që po bëjnë.

    “Erdhëm këtu që të ju falënderohemi për punën, përkushtimin dhe kontributin të gjithë të punësuarve të cilët kanë kaluar 500 ditë që në mënyrë të pandalshme të palodhshme kontribojnë në ballafaqimin me pandeminë COVID-19 e në veçanti tani në këto javë kur situata është rënduar për shkak të pasojave e të gjëra të variantit delta” – deklaroi ai.

    Gjatë 71 ditëve të fundit, kryeministri Kurti ka injoruar situatën e rëndë të pandemisë së Covid 19, duke mos vizituar asnjëherë Klinikën Infektive në QKUK e cila ka 500 ditë që gjendet në vijë të parë të frontit me pandeminë e Covid 19.

    Në një postim të 23 korrikut, Kurti shkruante se pandemia ishte vënë nën kontroll dhe situata ishte përmirësuar dukshëm.

    “Pra, pandemia është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm. Por, tani rrezikohemi nga përhapja e variantit “Delta” të virusit. Përballë tij mburoja për secilin prej nesh është vaksina, kurse për të gjithë së bashku vaksinimi masiv” – shkruante kryeministri Kurti në llogarinë zyrtare në Facebook.

    Mungesa e një fushatë të mirëfilltë vaksinimi, vonesat në termine dhe organizimi i punës në vetëm një qendër për komunë kanë bërë që vetëm 18.7% e qytetarëve të jenë të vaksinuar me dy dozat.

    Mbi 130 mijë vaksina AstraZeneca, pjesë e donacionit nga Norvegjia u hoqën nga përdorimi për shkak të skadimit të afatit, me ministrin Vitia, i cili fajin për mos administrim të këtyre vaksinave ua la “dezinformatave” dhe raportimeve të media në lidhje me afatin e përdorimit të këtyre vaksinave.

    Ministria e Shëndetësisë, përgjatë 60 ditëve nga data e pranimit të vaksinave AZ nga Norvegjia, administroi vetëm 46 mijë vaksina, duke bërë që 75% e donacionit (133 mijë vaksina) të shkojnë në asgjësim në kohën kur Kosova po kalon valën më të rëndë të pandemisë së Covid 19.

    Pakënaqësitë e mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës të cilët tash e një kohë të gjatë po shërbejnë në vijën e parë të frontit në luftë me pandeminë janë rritur sidomos pas vendimit të fundit për shtesat mbi paga, prej së paku 60 eurove, të cilat sipas tyre janë ofenduese./Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark