U.D. presidentja e vendit, Albulena Haxhiu, sot, kur po shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, ka kujtuar kontributin e grave të cilat nuk janë pjesë e tregut të punës, por që kontribuojnë jashtëzakonisht shumë në mirëqenien e shtëpisë dhe familjes.
“Aty ku shumë gra e nisin ditën para se të zgjohen të gjithë dhe e mbyllin pasi të kenë fjetur të gjithë. Aty ku kujdesi për fëmijët, për të moshuarit, për të sëmurët, për ushqimin, për rrobat dhe për rendin e familjes vazhdon të merret si detyrë e natyrshme. Por nuk është e natyrshme. Është angazhim, përkushtim, kohë dhe, mbi të gjitha, është punë që as paguhet e as njihet sa duhet”, ka thënë Haxhiu.
Ajo, tutje, ka shtuar se në këtë 1 Maj duhet ta shohim punën në tërësinë e saj dhe t’u japim vendin që u takon punëtoreve dhe punëtorëve të Kosovës.
“Atyre që dalin herët për ta fituar bukën me djersë, në kantier, në fabrikë, në arë, në zyrë, në dyqan, në rrugë apo në mërgatë, por edhe atyre që e vazhdojnë punën brenda shtëpisë, shpesh pa pagë, pa orar dhe pa njohjen që meritojnë”, ka theksuar U.D. Presidentja.
Haxhiu ka thënë se sot nderohen punëtorët dhe punëtoret që, me mund, përgjegjësi dhe dinjitet, e mbajnë familjen, shoqërinë dhe Kosovën në këmbë.