Kryeministri Albin Kurti për herë të parë të hënën nga Brukseli e konfirmoi se muaji mars i vitit të ardhshëm u është dhënë si afat nga ndërkombëtarët kur do të mund të arrihet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, bazuar në atë që njihet si plani franko-gjerman.
Ka disa javë që ka nisur diskutimi për propozimin franko-gjerman, përmes së cilës synohet kapërcimi i pengesave të mëdha dhe arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë.
Plani franko-gjerman i erdhi në tavolinë kryeministrit Albin Kurti nga përfaqësuesit e këtyre dy vendeve gjatë muajit shtator, shkruan Gazeta Insajderi.
Dy vendet më të fuqishme të politikës evropiane Franca dhe Gjermania, përpiluar një plan se si do të mund të arrihet marrëveshja mes dy vendeve pas më shumë se 10 vjetëve nga nisja e negociatave.
Informatat zyrtare ishin të pakta nga të dyja vendet, ndërkohë që liderët u iknin konfirmimeve se çka përmban saktësisht plani.
Ishte përmendur edhe muaji shkurt si koha kur ndërkombëtarët synonin përmbylljen e këtij kapitulli, pikërisht në përvjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë.
Por asnjëherë nuk është konfirmuar një informatë e tillë.
Madje edhe për planin franko-gjerman nuk u dhanë detajet deri para pak ditësh kur edhe ishte afati për dorëzimin e qëndrimeve zyrtare nga Kosova e Serbia rreth tij.
Por zyrtarisht për afatin e arritjes së marrëveshjes foli si kalimthi të hënën kryeministri Albin Kurti nga Brukseli, shkruan Gazeta Insajderi.
Kurti para mediave tha se shpreson se BE do të gjejë forcën që t’i rrijë prapa propozimit të saj për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. Duke theksuar “se pas 8 orësh takime nuk kanë marrëveshje”.
“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.
“Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është Franko-Gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania”, deklaroi Kurti.
“Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi…Unë jam i gatshëm që të vijë këtu të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë…Shpresoj që BE ti rrijë prapa propozimit të vetë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.
Edhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që ta shyej afatin për hyrjen në fuqi të vendimit për targa për një periudhë dhjetë mujore. Ndonëse nuk saktësohej nga ai se çka do të ndodhë pas dhjetë muajsh.
Gabriele Escobar gjatë qëndrimit në Prishtinë, i kërkoi Kurtit shtyrjen për 10 muaj të afatit për ndryshimin e targave serbe, duke potencuar se kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-së, por edhe e gjithë Quintit.
Escobar tha gjithashtu se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken i ka kërkuar Kurtit ta shtyjë afatin për targat.
“Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do të zgjasin afatin, shpresoj se do të pranojnë kërkesën e vendeve të Quintit dhe kërkesën personale të Sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për të krijuar kushtet për zbatimin e duhur”, tha Escobar. /Gazeta Insajderi