×
Hulumtime/Analiza / Analiza

“Neni 2 i planit franko-gjerman është baza e marrëveshjes” – Konjufca zbulon tri pika tjera të rëndësishme të propozimit

Insajderi
09 November 2022 - 11:37
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Tri pika të rëndësishme, të atij që po quhet plani franko-gjerman, i ka zbuluar për herë të parë krye parlamentari Glauk Konjufca. Sipas tij baza e planit është e shëndosh për arritjen e marrëveshjes me Serbinë dhe se aty figurojnë:  “E drejta e barabartë mes shteteve, respektimi i sovranitetit reciprok dhe e drejta e palëve për vetëvendosje”. Problematike sipas tij është kërkesa për respektimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur deri sot. Krijimi i Asociacionit është njëra ndër to, që është kritikuar tash e nëntë vite nga Vetëvendosje

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dhënë detaje për përmbajtjen e planit franko-gjerman që i është propozuar Kosovës dhe Serbisë në fillim të muajit shtator.

Konjufca deklaroi se Kosova e ka problem që t’i thotë jo këtij plani, pasi sipas tij thelbi i propozimit është i mirë. Madje siç thotë ai “esenca është Serbia me heqë dorë nga Kosova”.

Zbuloi se brenda tij janë tri pika të rëndësishme që përfshijnë respektimi i sovranitetit reciprok dhe të drejta e barabartë mes shteteve, shkruan Gazeta Insajderi.

“Baza e tij është një bazë e shëndoshë për ecje përpara për arsye se aty është neni 2 i kësaj marrëveshje që është thelbi i kësaj marrëveshjeje. Ky plan ndërtohet mbi tri principe –  e drejta e barabartë mes shteteve, respektimi i sovranitetit reciprok dhe e drejta e palëve për vetëvendosje”, zbuloi Konjufca.

Sipas Konjufcës kjo është shumë më e rëndësishëm, sesa nota verbale e njohjes nga Serbia. Thotë se kur e ka lexuar këtë plan e ka kuptuar se “esenca është që Serbia me heqë dorë nga Kosova”.

“Me këtë rast Bashkësia Ndërkombëtare, shtetet më të fuqishme evropiane dhe SHBA-të e kanë pozicionimin e qartë, do t’ia propozojnë Serbisë një plan, i cili nëse e përkthen në thelb i bie me heq dorë në pretendimet e saj njëherë e përgjithmonë Serbia prej Kosovës. Ky është thelbi i planit franko-gjerman”, u shpreh Konjufca në KlanKosova përcjell Insajderi.

Krye parlamentari Konjufca tha se nuk pajtohen në tërësi me planin siç u është prezantuar nga dy shtetet më të fuqishme Evropiane: Gjermania e Franca, e që e ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Kush e ka lexu atë plan, esenca është kjo nuk është që pajtohemi 100% me atë plan, edhe ne i kemi vërejtjet tona. Nëse ai është fruti e ka një bërthama e bërthama është me pranu sovranitetin e ndërsjellët Kosova me Serbinë”, deklaroi Konjufca.

Ai bëri edhe krahasimin mes planit të Ahtisarit e planit franko-gjerman. Sipas tij derisa plani i Ahtisarit ka qenë për Kosovën ky i fundit është për Serbinë.

“Nëse mundem me bë një krahasim, disi Plani i Ahtisarit më shumë ka qenë për Kosovën ky tjetri është më shumë për Serbinë, në kuptimin që nëse pajtohet Serbia që Kosova është e pavarur, që relacionet mes Kosovës dhe Serbisë sipas Kapitullit 2 të Kombeve të Bashkuara“, tha ai.

Konjufca e konfirmon se pikë problematike në këtë dokument është kërkesa që të respektohen të gjitha marrëvevshjet e arritura deri tash. Këtu përfshihet edhe krijimi i Asociacionit me Komuna Serbe.

“Është edhe një pikë tjetër që për neve mund të jetë problematik, që thotë se duhet të respektohen të gjitha marrëveshjet e deri tashme”, tha Konjufca.

Konjufca e ka ripërsëritur se partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar me ngulm konfidencialitet të paktën deri në përgjigjen zyrtare të të dyja palëve karshi planit.

Qeveria tashmë e ka paraqitur qëndrimin zyrtar sa i përket këtij plani tek propozuesit.

“Të gjitha ato rezervat që i kemi e kanë fjalinë e parë “që ky është një plan që ka bazë të mirë për me i zgjidh problemet deri në njohjen e plotë në relacionin mes Kosovës e Serbisë”.

“Është 95% dhe në fund, Serbia ka kërkuar siç duket që para se me hy në Bashkimin Evropian si me thënë 24 orë para detyrohet me qu njohjen verbale se sa e di unë ky është kusht i BE-së”. 

“Nuk me duhet që Kosova humbë diçka pa këtë njohjen verbale”, tha krye parlamentari Konjufca.

Këto detaje u zbuluan tek pas përgjigjes refuzuese të Serbisë karshi këtij plani.

Sipas tij, Serbia po mundohet ta shpërqendroj vëmendjen pas refuzimit të planit duke krijuar situatën në veri. Konjufca është i bindur se halli i Serbisë nuk janë targat por plani franko-gjerman.

“Një zori i madh duhet me qenë, jo targat, Serbia është mbështet për muri dhe nuk mundet me i lëviz ndryshe parametrat dhe vijat e kuqe të këtij plani përpos një koncentrimi të madh të bllokadës, sabotazhës edhe dhunës ndoshta”, ktha ai.

Për dallim nga Konjufca, shefi i Qeverisë Albin Kurti ka deklaruar vetëm se nuk e ka refuzuar atë por se ka pasur disa vërejtje e kritika rreth ideve që përmban dokumenti. 

“Tash jemi tek vlerat dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Unë jam i bindur se deri me datën 18 gusht nuk kemi pasur dialog për marrëveshje por dialog për dakordime të vogla, për koncesione e nganjëherë edhe dialog për dialog”, ka thënë Kurti, përcjell Insajderi.

Kryeministri ka theksuar se më 18 gusht pika e parë, ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes.

“Më 9 shtator patën ardhë këtu në zyrën time përfaqësues të Bashkimit Evropian, pra ata kanë sjellur përmbledhje të ideve, modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar por kam thënë se janë bazë e mirë, ua kam thënë atyre vërejtjet e kritikat e mija por nuk e kam refuzuar. Pas mbledhjes së këshillit të sigurisë në Beograd, në mënyrë unanime e kanë refuzuar, ky refuzim po synon të shndërrohet në pasiguri në Kosovë por ne nuk mund të lejojmë destabilizimin e Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Kurse zëvendësi i tij, Besnik Bislimi ka zbuluar javën e kaluar se “Plani franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza”, shkruan Gazeta Insajderi.

Propozimi sipas Bislimit është si pikënisje e brengës së Gjermanisë e Francës se procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur.

“Është një propozim që, mendoj, pak a shumë si pikënisje ka një brengë ndoshta te vendet mike si Gjermania dhe Franca, që procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur, që situata gjeopolitike në Ballkan nuk është edhe aq e mirë. Andaj, edhe propozimi që del nga aty, është në kontekst të këtyre zhvillimeve”, tha zëvendësi i Albin Kurtit.

Sipas Bislimit, ky propozim parasheh zgjidhjen që një pjesë e kontesteve mes Kosovës e Serbisë të zgjidhet qysh tani.

“Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, tha Bislimi në intervistën për REL. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark