Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, ka reaguar pasi Gjykata Komerciale ia ndërpreu punimet në Rrugën A. Rama këtë vendim e quajti politik dhe në dëm të interesit publik.
Ai ka akuzuar VV-në për ndërhyrje sepse sipas tij vendimi për pezullim të punimeve është marrë nga motra e deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.
“Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli“, ka shkruar Rama në “Facebook’.
Projekti i promovuar nga dyshja Abdixhiku e Rama ka marrë goditje të rëndë nga Gjykata Komerciale. Është vendosur që të ndërpriten punimet. Shkak janë bërë pretendimi për mashtrim në tenderin mbi 8 milionë eurosh.
Nisja e punimeve në Rrugën A në Prishtinë i kishte bërë bashkë Lumir Abdixhikun e Përparim Ramën. Gazeta Insajderi kishte publikuar hulumtimin për tenderin prej 8.5 milionë eurosh për ndërtimin e Rrugës A në Prishtinë, që iu dha firmës “Sallahu”, ku pronari i saj ishte dënuar për mashtrim.