×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Abdixhiku e Rama goditen nga Gjykata Komerciale- Ndërpriten punimet në Rrugën A

    Insajderi
    20 October 2023 - 17:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Projekti i promovuar nga dyshja Abdixhiku e Rama ka marrë goditje të rëndë nga Gjykata Komerciale. Është vendosur që të ndërpriten punimet. Shkak janë bërë pretendimi për mashtrim në tenderin mbi 8 milionë eurosh.

    Gazeta Insajderi

    Nisja e punimeve në Rrugën A në Prishtinë i kishte bërë bashkë Lumir Abdixhikun e Përparim Ramën. Gazeta Insajderi kishte publikuar hulumtimin për tenderin prej 8.5 milionë eurosh për ndërtimin e Rrugës A në Prishtinë, që iu dha firmës “Sallahu”, ku pronari i saj ishte dënuar për mashtrim.

    Ndërsa të martën Gjykata Komerciale ka vendosur se punimet në rrugën A duhet të pezullohen.

    Në vendimin e siguruar nga Gazeta Insajderi theksohet se vendimi Gjykatës bazohet në atë se pronari i kompanisë që është shpërblyer me tender është i dënuar për falsifikim të dokumenteve.

    Gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit dhe pezullimi i aktivitetit Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e Parë”, me , deri në shqyrtimin e pretendimeve te ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale Është më se i duhur që të ruhet interesi publik“, thuhet ndër të tjerash në vendim.

    Këto punime po i kryente “Sallahu”, derisa pronari i saj Naim Sallahu është i dënuar për mashtrim nga Gjykata Themelore e Prishtinës vitin 2018.

    Sallahu, që ishte parë në këtë ceremoni bashkë me Abdixhikun e Ramën, sipas vendimit të Themelores e që është vërtetuar edhe nga Apeli e ka të ndaluar që të marrë pjesë në prokurime publike për një periudhë 10 vjeçare- deri më 2028.

    Si përfundoi tenderi i madh te pronari i dënuar për mashtrim?

    Komuna e Prishtinës me datë 24.02.2023 ka rekomanduar për dhënien me kontratë të Grupit të Operatorëve Ekonomik “SALLAHU” shpk dhe ALTIS CONSTRUCTION Ltd me vlerë prej 8,497,801.66 €.

    Kjo kontratë ishte dhënë për ndërtimin e rrugës A.

    AVONET gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit në Komunën e Prishtinës kishte identifikuar se Naim Sallahu, pronari i mëparshëm i “Sallahu” sh.p.k ka Aktgjykim të formës së prerë dhe është fajtor për kryerjen e veprës penale: falsifikim i dokumentit zyrtar.

    Komuna e Prishtinës kishte mohuar këto akuza duke thënë se lajmet se është shpallur fitues i dënuari për mashtrim” është i tërësisht i pasaktë dhe i pavërtetë”.

    “Komuna e Prishtinës si autoritet kontraktues ka kërkuar nga operatori ekonomik që në përputhje me nenin 65 të Ligjit në fuqi për Prokurimin Publik, të dorëzoj dëshminë nga gjykata kompetente se pronari dhe përfaqësuesi i saj nuk kanë qenë të dënuar për vepër penale në të paktën dhjetë (10) vitet e fundit. Rrjedhimisht “Sallahu” Sh.P.K. fillimisht përmes certifikatës së biznesit dhe dokumenteve tjera nga ARBK ka dëshmuar se pronar dhe përfaqësues i saj është personi me inicialet “L.S.”, thuhej në reagim.

    Sipas ligjit operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave”.

    Kështu, më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Naim Sallahut për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”.

    Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ishte ngarkuar me veprën penale “Falsifikim të dokumentit”, pasi që thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

    Ai u dënua me gjashtë muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

    Dënimi me burgim ndaj tij ishte zëvendësuar me pagesën e gjobës prej tre mijë euro.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark