×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Për tre muaj 5.6 milionë euro humbje shtetit- Si funksiononte grupi i bixhozit ilegal në Prishtinë

    Insajderi
    13 October 2023 - 15:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për më pak se tre muaj një grup i organizuar i bixhozit ilegal, sipas Prokurorisë i kishte shkaktuar dëm shoqërisë kosovare mbi 5.6 milionë euro. Kishte krijuar për këtë periudhë të shkurtër fitime mbi 940 mijë euro. Insajderi sjell detaje nga dosja se si funksiononte ky grup, që mbante një zyrë gati publike në Kryeqytet.

    Visar Duriqi

    Policia e Kosovës kishte marrë një informacion se një grup njerëzish për javë të tëra po takoheshin bashkë në një zyrë në Prishtinë. Siç merr vesh Insajderi, krejt në fillim hetuesit nuk e kishin krejt të qartë  se për çka po takohej grupi, por një hetim paraprak nisi.

    Mëngjesin e 24 marsit të vitit 2021 ata morën lejen, dhënë vetëm gojarisht, nga një gjykatës i procedurës paraprake që të hynin në këtë pronë.

    Hetimi pastaj do të zbulonte që qëllimi i takimeve të tyre ishte koordinimi i bixhozit ilegal që kishte filluar të lulëzonte fill pasi që në Republikën e Kosovës u bë çdo formë bixhozi e ndaluar.

    Atë ditë, pranga do t’iu viheshin Skerdi Feros, Sokol Stafajt, Alban Petit, Lulzim Paqaradës, Fidan Hoxhës, Gasper Kaçinarit, Jozef Gjinit, Fisnik Sadrijat, Flakron Kurteshit e Rrezarta Miftarajt.

    Ndaj këtyre personave tash rëndon edhe një aktakuzë, një kopje të së cilës e posedon gazeta Insajderi.

    Dosja e Prokurorisë zbulon se grup për një periudhë relativisht të shkurtër më pak se tremujore, nga janari e deri te gjysma e marsit 2021 kishin qarkulluar aq shumë para me bixhoz ilegal sa shifrat janë milionëshe.

    “…vetëm për janar, shkurt dhe 15 ditë të muajit mars të vitit 2021, humbja e shkaktuar shoqërisë kosovare nga kjo vepër penale kapin shumen prej 5,668,584.08 €, ndërsa fitimi i organizatoreve ka qenë 947,724.65 €”, kështu e përshkruan Prokurorja e rastit, Merita Bina-Rogova këtë grup, shkruan Insajderi.

    Si funksiononte grupi i bixhozit?

    Grupi, sipas Prokurorisë kishte role e detyra të ndara goxha kjartë në hierarki. Dikush në regjione brenda Republikës së Kosovës, e dikush koordinim me Republikën e Shqipërisë.

    I pandehuri Sokol Stafa, sipas Prokurorisë ka punuar si koordinator i lojërave të fatit Kosove – Shqiperi. Gaspër Kaçinari si drejtor në këtë grup. Rrzarta Miftaraj si arkëtare. I pandehuri Skerdi Fero si menaxher kryesor, ndërsa të pandehurit Alban Peti, Lulzim Paqarada, Fidan Hoxha, Fisnik Sadija, Jozef Gjini, Flakron Kurteshi, Dardan Arifi, Boban Stevanoviq e Taulant Palushi kishin rolet e menaxherëve regjional brenda organizatës që po merrje me bixhoz ilegal, shkruan Gazeta Insajderi.

    Edhe pse pas hetimeve Prokuroria nuk e ndjek më pistën e hetimit “krim i organizuar”, në aktakuzë konstaton se të akuzuarit në këtë rast dikur kanë punuar për bastoret e shtetasit të Shqipërisë, Ardit Kraja, dhe pas muajit prill 2019 kur në Kosovë bixhozi “thjeshtë kanë vazhduar me aktivitete e njëjta”, konstaton Prokuroria.

    “Me rastin e kontrollit në lokalet e bastores, në Prishtinë, rruga “Venet Bajrami” me dt. 24.03.2021 janë sekuestruar shume pajisje elektronike, telefonat, kompjuterët, si dhe incizimet e kamerave të sigurisë në atë banesë e cila është përdorur si zyrë për këtë grup kriminal”, thuhet në aktakuzë.

    Prokuroria thotë se i lidh të akuzuarit me vet incizimet e tyre në banesën që po e përdoronin si zyrë të bastores ilegale.

    “Ne banesën e lartcekur, në Prishtinë, të cilën të pandehurit e kane përdorur si seli të bastoreve online, kanë qenë të vendosura kamerat, ashtu që incizimet e tyre paraqesin prova shumë të rëndësishme. Në periudhën kohore nga 06.03.2021 deri më 24. 03.2021 në këto hapësira shihen të gjithë të pandehurit dhe në mënyrë të pamohueshme sqarohet roli i secilit prej tyre brenda grupit”, konstatohet në dosje, raporton Insajderi.

    Paratë i dorëzonin te “arkëtarja”, merrnin paragon- si i ekspozuan vet kamerat e sigurisë së grupit

    Në zyrë rregullisht shihet Rrezarta Miftaraj, e cila merrej me financa dhe konsiderohet si arkëtarja e grupit.

    “…pranon të hollat nga “menaxheret”, e mbanë kontabilitetin dhe kryen barazime me të pandehurit e tjerë”, thuhet në aktakuzë.

    Sipas dosjes, në këto incizime shihen të gjithë të pandehurit si dhe disa persona tjerë, të paidentifikuar, të cilët vijnë  që të dorëzojnë apo te marrin parat nga e pandehura Miftaraj.

    “E njëjta i numëron të hollat me aparat për numërimin e monedhave, i evidenton në një paragon, dhe i fut në kasafortë, apo iu dorëzon të pandehurve. Jo vetëm nga incizimet e video kamerave, por edhe nga i gjithë dokumentacioni i sekuestruar nga te pandehurit, vërtetohet se e pandehura Miftaraj në këtë grup ka punuar si arkëtare. Për muajin janar për këtë pune e ka marr pagën prej 700 € dhe kjo dëshmohet me listën e shpenzimeve të bastorës”, thuhet në aktakuzë, raporton Gazeta Insajderi.

    Sipas Prokurorisë, Sokol Stafa që konsiderohet si koordinator i bastorës mes Kosovës e Shqipërisë, në incizime del që kur hyn në këtë zyrë të improvizuar të bastorse kontrollon dokumentet e “arkëtares”, nënshkruan dokumente, kontrollon paragonat e madje merr edhe para nga ajo.

    Në disa incizime shihet edhe si “shefi” që hyn e aktivizon alarmin dhe kur del e çaktivizon atë.

    Ai ka pranuar, ose dorëzuar shuma parash që shkonin deri në 6 mijë uro, por në një dokument që Prokuroria e prezanton, del që paga e tij në dhjetor 2020, ka qenë një mijë euro.

    Përdorimi i rrjeteve sociale dhe pseudonimeve

    Dosja e Prokurorisë për këtë grup tregon se ata përdornin një seri rrejtesh sociale për punën e tyre, derisa njiheshin edhe me pseudonime e nofka, raporton Insajderi.

    “Agjencioni Kosovar i Forenzikës e ka kryer ekzaminimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara nga të pandehurit, kurse DHK.O i ka analizuar të gjitha informata dhe me dt. 18.11.2022 e ka përpiluar Raport Njoftues . Me atë rast, nga asete e lartcekura janë gjetur thirrjet, kontaktet, mesazhe, historiku i shfletuesve të internetit, audio fajlla, video fajlla, foto imazhe dhe komunikimet nga aplikacioni Facebook Messenger, Instagram, Tik:Tok, Viber WhatsApp… të gjitha në lidhje me veprën penale për të cilën të pandehurit akuzohen”, thuhet në aktakuzë.

    Kështu, sipas dosjes i akuzuari Skerdi Fero në pajisjet e tij elektronike ka pasur shumë prova për aktivitetet në bastore online që nga viti 2019 e tutje.

    “Në telefonin e tij ka pasur shumë komunikime lidhur me lojëra e fatit me personin e paidentifikuar, të regjistruar si “Tirana” si dhe komunikime me “Shqipëria baza”. Në këtë telefon janë gjetur informata për gjendjen aktuale të basteve, listat me adresat e klientëve dhe tabelat për gjendjen financiare nëpër regjione të ndryshme në Kosovë, si dhe shumë emra të përdoruesve të lojërave të fatit”, thuhet më aktakuzë, raporton Insajderi.

    I pandehuri Skerdi Fero edhe vet ka punuar si “menaxher” dhe në aktakuzë janë listuar disa pseudonime që ka përdorur ai si dhe bëhet me dije që për më pak se tre muaj në fillim të vitit 2021 ai ka realizuar qarkullim mbi 24 mijë euro e ka dorëzuar në “bazë” mbi 14 mijë prej tyre.

    Prokuroria thotë që në kompjuterë të të dyshuarve ka gjetur edhe dokumente në formatin Excel dhe Word ku janë evidentuar emrat e agjentëve dhe menaxherëve për regjione të caktuara të Kosovës.

    “Të pandehurit  kanë mbajtur evidencë shume pedante, ashtu që janë gjetur prova të pakontestueshme që këto aktivitete i kanë zhvilluar pandërprerë”, thotë Prokuroria dhe shton se vazhduan biznesin e bixhozit pa e vrarë mendjen se ishte ilegal

    “Në tabelat e gjetura në të gjitha pajisjet elektronike, në mënyrë të përpiktë janë të shënuar emrat apo nofkat e agjentëve, shumat , diferenca, fitimi, borxhi, përqindja e menaxherëve “, thuhet në aktakuzë, raporton Gazeta Insadjeri.

    Kështu, për zonën e Gjakovës është shënuar emri i te pandehurit Jozef Gjini, për Gjilan Dardan Arifi, për Prizren Fidan Hoxha dhe Taulant Palushi, për Graçanicë është shënuar  emri i te pandehurit Boban Stevanoviq, për Peje i pandehuri Fisnik Sadrija.

    “Zonat tjera janë të shënuara vetëm me emrat e qyteteve, apo disa emra te bashkë-kryeseve të paidentifikuar”, thuhet në dosje.

    Sipas dosjes në fjalë, Taulant Palushi ka përdorur së paku tre pseudonime dhe bastorës si grup i ka sjell fitime për pak javë deri në 78 mijë euro në fillim të vitit 2021, dhe po në fillim të këtij viti për pakë ditë, del që edhe Jozef Gjini i ka sjell grupit mbi 11 mijë euro fitime, derisa në maj 2020 i kishte sjell si fitime edhe mbi 7 mijë euro të tjera. Edhe Gjini ka përdorur së paku tre pseudonime të ndryshme.

    I akuzuari tjetër, Fidan Hoxha ka mbajtur telefonin i cili pas konfiskimit del që ka pasur edhe një bisedë me Fisnik Sadrijan lidhur me zbritjen e mundshme të pagave në bastore për disa gabime në letra e dokumente, raporton Insajderi.

    Dokumentet e nxjerrin që ai po ashtu ka përdorur disa nofka dhe për pak ditë të janarit 2021 ka sjell fitime mbi 20 mijë euro e ka marrë pagë mbi 3600 euro.

    I pandehuri Dardan Arifi ka qënë i angazhuar si menaxher i zonës së Gjilanit dhe ka përdorur disa, tre nga të cilët i ka përmendur në aktakuzë Prokuroria.

    “…dhe nga 12 deri 18 janar 2021 ka fituar 11,830.69 €. Ne lokalet e bastorës janë gjetur edhe disa mandat – pagesa në emër të tij ashtu që është vërtetuar se me dt. 02.02.2021 i njëjti e ka marrë pagën për janar në shumën prej 2013 €”, thuhet në dosje.

    Më së paku i paguar del të ketë qenë “menaxheri” për Graçanicë, Boban Stevanoviq që po ashtu ka përdorur disa user-a por në janar 2021 ka fituar për grupin vetëm afro 3 mijë euro e është paguar për vetë vetëm afro 448 euro.

    “I pandehuri Fisnik Sadrija në dokumentet e bastores është i shënuar si menaxher i zonës se Pejës, me userat…. Sipas mandat-pagesës se dt. 02.03.2021 për muajin shkurt e ka marr pagën prej 4,370 €. I pandehuri Lulzim Paqarada në rolin e menaxherit për regjionin e Mitrovicës ka përdorur userat… Për muajin shkurt e ka pranuar pagën prej 4213 €”, bëhet me dije në aktakuzë.

    Cili ishte roli i Gaspër Kaçinarit në këtë grup?

    “Pozita e të pandehurit Gasper Kaçinari brenda këtij grupit kriminal ka qenë pak më ndryshe, sepse sipas provave të siguruara, i njëjti në bastore ka ardhur përafërsisht një herë në javë dhe çdo herë ka marrë shuma të mëdha parash . Kjo dëshmohet me mandat-pagesa të gjetura në zyrë prej të cilëve vërtetohet se ky i pandehur me dt. 17.02.2021 ka marre 14,250 € , me datën 10.02.2021 shumën prej 76.000.00, me datën 03.03.2021 shumën 20,881.00, me 24 .02 ka pranuar 10 000 €, me 02.03 shumen prej 120,000 €….”, kështu e përshkruan rolin e Gaspër Kaçinarit Prokuroria Speciale

    Insajderi ditë më parë ka raportuar për profilin e Kaçinarit, të cilin pos për organizim bixhozi ilegal, Prokuroria e ka akuzuar edhe për shpërlarje parash.

    Por, siç ka raportuar Insajderi për këtë të akuzuar Prokurorja Merita Bia-Rugova ka bërë kërkesë në Gjykatë që të pranohet një marrëveshje mes këtij institucioni dhe këtij të akuzuari, ku ai do të përfundonte vetëm duke ia konfiskuar shumën prej mbi 200 mijë eurosh që janë gjetur në xhirollogari e për të cilat Prokuroria është e bindur se nuk ka arsyetim të mjaftueshëm se janë të ligjshme.

    “Sa i përket këtij te pandehurit (Gaspër Kaçinari), është konstatuar se përfitimet financiare të cilat i ka realizuar ndër vite më kryerjen e veprës penale të bixhozit të paligjshëm, i njëjti në mënyrë suksesive ka deponuar në llogaritë bankare në format të ndryshme, përmes ATM-ve apo në bankë – personalisht apo nga personat e tretë. Me dt. 12.01.2021 i pandehuri e ka bere deponimin prej 200,000.00 € me përshkrimin “deponim ne llogari nga shitja e shtëpisë farniljare në Prishtinë”, thuhet në aktakuzë.

    Gjykimi ndaj grupit ku i akuzuar pos Kaçinarit të akuzuar janë edhe Sokol Stafa, Skerdi Fero, Alban Peti, Lulzim Paqarada, Fidan Hoxha, Fisnik Sadrija, Jozef Gjini, Flakron Kurteshi, Dardan Arifi Boban Stevanoviq, Taulant Palushi dhe Rrezarta Miftaraj po vazhdon në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Ata po ndiqen për organizim të bixhozit ilegal, dhe disa prej tyre edhe për shërparje parash.

    Në rastin konkret, të pandehurit e kanë kryer formën kualifikuese të veprës penale për të cilën akuzohem, pra bixhozin ilegal, thuhet në aktakuzë dhe bëhet edhe një herë me dije se sipas llogaritjeve të këtij inistitucioni “në më pak se 3 muaj, shoqërisë kosovare i është shkaktuar demi shumë më i madh se 25.000 €, me saktësisht shuma prej 5,668,584.08 €, ndërsa fitimi i organizatoreve ka qenë 947,724.65 €”. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark