Insajderi
Lajme

Përdorimi i fëmijëve në fushatë, LDK-ja dënohet sikurse Vetëvendosje

Insajderi
05 June 2026 - 17:20
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Përdorimi i fëmijëve në fushatë, LDK-ja dënohet sikurse Vetëvendosje
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) me 5 mijë euro për shkak të pjesëmarrjes së një fëmije nën moshën 15-vjeçare në një aktivitet të fushatës zgjedhore.

PZAP ka pranuar si të bazuara ankesën e IKD-së me dhe ankesën e LVV-së me numër, të paraqitura më 4 qershor 2026. Për pasojë, LDK-së i është shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 5 mijë eurosh, të cilën duhet ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita kur vendimi bëhet i plotfuqishëm.

Sipas arsyetimit të vendimit, ankesa e IKD-së kishte të bënte me një tubim zgjedhor të LDK-së të mbajtur më 3 qershor 2026 në Viti, me fillim rreth orës 17:00.

IKD kishte pretenduar se nga video-incizimet e tubimit shihet se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i jep hapësirë në skenë një vajze të mitur e cila mban flamurin e subjektit politik. Sipas ankesës, Abdixhiku i është drejtuar publikisht vajzës duke i kërkuar që flamurin ta mbajë lart, ndërsa ajo ka vazhduar të qëndrojë në skenë para pjesëmarrësve të tubimit duke ekspozuar simbolin e partisë.

Në vendim citohet se përfshirja e të miturës nuk konsistonte vetëm në praninë fizike në tubim, por edhe në paraqitjen e saj në skenë me simbolin identifikues të subjektit politik dhe sipas udhëzimeve të drejtpërdrejta të kryetarit të partisë.

Po ashtu, në ankesë është theksuar se gjatë aktivitetit, Abdixhiku iu referua vajzës si fëmijë, duke deklaruar: “Ne fëmijët nuk e shtyjmë me recitu poezi që e ofendojnë të tjerët, ne fëmijët i kemi krenarë…”.

Ankesa po ashtu kishte evidentuar se fotografitë ku shihej vajza në skenë me flamurin e LDK-së ishin publikuar edhe në postimet e kryetarit të partisë në rrjetet sociale, lidhur me tubimin e mbajtur në Viti.

Edhe në një rast tjetër, PZAP e kishte pranuar si të bazuara ankesat e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me 5 mijë e 100 euro, për përdorimin e një fëmije nën moshën 15-vjeç në tubim zgjedhor në Vushtrri.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark