"Përfituesit nuk dorëzuan dokumentet e kërkuara, kontrata në kundërshtim me ligjin", si dështoi Bulliqi në menaxhimin pronave publike në Podujevë? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Përfituesit nuk dorëzuan dokumentet e kërkuara, kontrata në kundërshtim me ligjin”, si dështoi Bulliqi në menaxhimin pronave publike në Podujevë?

    Insajderi
    06 September 2025 - 15:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    ZKA ka gjetur shkelje në procesin e dhënies dhe menaxhimit të pronës publike në tetë komuna. Në mesin e tyre është edhe ajo e Podujevës që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i VV-së.

    Gazeta Insajderi

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur shkelje në tetë auditime që lidhen me temën Dhënia në shfrytëzim dhe menaxhimi i pronave komunale të dhëna me qira”.

    Gjetjet përfshijnë komunat e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Podujevës, Suharekës, Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë, shkruan Insajderi.

    Çka thuhet në raport për Komunën e Podujevës?

    Raporti nxjerrin në pah shkelje serioze në menaxhimin e pronave komunale dhe mosrespektim të ligjit.

    Sipas ZKA-së, Komuna e Podujevës nuk ka arritur të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qira, duke e lënë administrimin e tyre në gjendje të dobët.

    Nga mostrat e testuara, mbi 95% kanë rezultuar me parregullsi, duke përfshirë mosrespektimin e kushteve kontraktuale dhe mosrealizimin e obligimeve financiare.

    Një nga shfrytëzuesit e pronës kishte edhe obligim të papaguar mbi 65,000€.

    Në 11 raste të kontratave aktive të shqyrtuara, shfrytëzuesit nuk ju kishin përmbajtur kushteve të përcaktuara me kontratë, si për pagesën e obligimeve kontraktuale ashtu edhe për angazhimin e punonjësve të paraparë me kontrata. Vlen të theksohet se njëri prej tyre kishte obligim të papaguar mbi 65,000€“, thuhet në raport.

    Ndërsa edhe në ankande ZKA ka gjetur se përfituesit nuk kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

    Gjetjet kryesore të auditimit:

    • Mungesë transparence dhe raportimi – Kryetari i komunës nuk kishte paraqitur asnjë raport në Kuvendin Komunal për realizimin e kontratave dhe qëllimin e dhënies së pronave në shfrytëzim.
    • Shkelje të kushteve kontraktuale – Në 11 raste të kontratave aktive të shqyrtuara, shfrytëzuesit nuk ju kishin përmbajturkushteve të përcaktuara me kontratë, si për pagesën e obligimeve kontraktuale ashtu edhe për angazhimin e punonjësve të paraparë me kontrata. Vlen të theksohet se njëri prej tyre kishte obligim të papaguar mbi 65,000€.
    • Kontrata të paligjshme – Në nëntë (9) nga 11 kontratat aktive të testuara, kishin afatin kontraktual të pacaktuar të lidhura para vitit 2020 e që është në kundërshtim me ligjin.
    • Ankande – Janë evidentuar raste kur kontratat janë lidhur pa plotësuar kushtet ligjore, si mosdorëzimi i planit të investimeve apo dokumenteve tatimore. Në disa ankande mungoi edhe njoftimi publik, duke cenuar transparencën.
    • Mungesë kontrolli financiar – Komuna nuk posedon kartela individuale për qiramarrësit, por vetëm një tabelë të përgjithshme në Excel, e cila është e paplotë dhe jo e saktë.
    • Mosarkëtim i qirasë – Në 38 nga 39 raste, qiramarrësit nuk kishin paguar qiranë sipas kontratës, ndërsa komuna nuk kishte ndërmarrë veprime për arkëtimin e borxheve.

    Përfundimi i ZKA-së

    Raporti thekson se Komuna e Podujevës nuk ishte në pajtueshmëri me ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, si dhe me standardet e monitorimit dhe menaxhimit të kontratave.

    Mungesa e veprimeve të duhura ka bërë që pronat të jepen në shfrytëzim pa aprovimin e Kuvendit Komunal, në mungesë të konkurrencës dhe me kushte të papërshtatshme.

    Ky menaxhim i dobët ka ndikuar në zvogëlimin e të hyrave komunale, mosrespektimin e kushteve të kontratave dhe krijimin e borxheve të papaguara nga viti në vit.

    Prandaj edhe ZKA i ka dhënë disa rekomandime Bulliqit si:

    -Përfituesit e kontratave për pronat komunale të cilat ipen në shfrytëzim ti kenë plotësuar kriteret e pjesëmarrjes siç janë kërkuar në njoftimin publik, me ç ‘rast të siguroj transparencë, trajtim të barabartë të të interesuarve dhe pjesëmarrësve në ankand publik.

    -Një proces objektiv, transparent dhe efikas duke publikuar njoftimin publik dhe
    njoftimet për përfituesit .

    -Për qiramarrësit të cilët nuk përmbushin kushtet e kontratës të marrë veprimet e nevojshme ligjore për ndërprerjen e kontratave meqenëse kemi të bëjmë me shfrytëzues të papërgjegjshëm në respektimin e kontratave, dhe për qiramarrësit kontratat e të cilëve janë me afat të pacaktuar në kundërshtim me ligjin, të marrë veprimet e nevojshme ligjore.

    -Të bëjë raportime të rregullta, në mënyrë që Kuvendi Komunal të jetë i informuar dhe të ndërmerr veprimet e nevojshme në funksion të zbatimit të kontratave./insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark