Përfundon fushata zgjedhore në Maqedoni, nesër heshtje zgjedhore - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Përfundon fushata zgjedhore në Maqedoni, nesër heshtje zgjedhore

    Insajderi
    09 December 2016 - 16:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partitë politike dhe koalicionet që marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare sot përfundojnë fushatën zgjedhore me prezantimin e programit të tyre zgjedhor para qytetarëve të cilën e filluan që nga 21 nëntori.

    Partitë politike të koalicionit qeveritar kërkojnë votën për të vazhduar me projektet ekzistuese dhe të reja, për të cilat thonë se sjellin prosperitet, të ardhme më të mirë dhe më të sigurtë, ndërsa partitë e koalicionit opozitar premtojnë qeveri reformatore, e cila siç thonë, do të sjellë demokraci dhe një jetë më të mirë.

    Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, nga qytetarët kërkon besimin duke theksuar se “marrja e 63 deputetëve në Kuvend është garanci se do të përfundojë kriza politike. Projekte të reja të huaja, projekte në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit, kulturës dhe në fusha të tjera, si dhe rritje të pagave në administratën publike dhe rritje të pensioneve”, janë një pjesë premtimeve më kryesore të koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNA-ja.

    Në aktivitetet e saj parazgjedhore, ky koalicion fajëson opozitën se paralajmërimet e saj për dygjuhësinë në tërë territorin e vendit shkaktojnë ndarje në vend mbi baza të ndryshme dhe çojnë drejt federalizimit, shkruan AA.

    Nga ana tjetër, nga partia shqiptare në pushtet, BDI-ja, premtojnë se do të mbeten të përkushtuar në proceset euro-atlantike, gjë që siç thonë ata, do të sigurojë një të ardhme stabile dhe më të mirë për qytetarët e Maqedonisë. Qëndrimi i këtij subjekti politik të shqiptarëve është se “partitë politike maqedonase nuk duhet të kërkojnë votën shqiptare, sepse përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve mund të jenë vetëm subjekte politike shqiptare”.

    BDI, poashtu thotë se do të insistojë që në krye të Komisionit për Çështje Ekonomike të jetë kuadër shqiptar, i cili do të orientojë çështjet ekonomike në drejtimin e duhur, veçanërisht barazinë ekonomike dhe shpërndarjen e investimeve kapitale në pjesët e vendit ku banojnë shumicë shqiptare.

    Derisa partitë në pushtet kërkojnë besimin e qytetarëve për vazhdimin e politikave të tyre duke paralajmëruar projekte që sjellin të ardhme më të mirë, partitë në opozitë të bashkuar në koalicionin “Për një jetë më të mirë” të udhëhequr nga LSDM-ja, në aktivitetet e saj parazgjedhore premton ekonomi më mirë, paga dhe pensione më larta, subvencione, shkolla të reja, arsim më cilësor, si dhe një mjedis më të mirë për jetesë

    Ata porositin se paralajmërimet për dygjuhësinë nuk e çojnë vendin drejt federalizimit dhe ndarjes së tij, por këtu bëhet fjalë për nxjerrje nga konteksti i deklaratave të tyre nga ana e oponentëve politik.

    Nga partia opozitare shqiptare, PDSH-ja, në promovimet e saj parazgjedhore thonë se platforma e këtij subjekti synon faljen e borxheve të shqiptarëve ndaj shtetit dhe barazinë e plotë në ndarjen e buxhetit ndërmjet vendbanimeve shqiptare dhe atyre maqedonase, me qëllim që kushtet për jetesë të jenë të barabarta në të gjithë vendin.

    Një nga premtimet e PDSH-së është se në qeverinë e re do të kërkojë vetëm një Zëvendës kryeministër, i cili do të vë veto në vendimet e Qeverisë dhe do të tregojë kujdes të posaçëm për shqiptarët në vendbanimet me shumicë joshqiptare.

    Ndërsa, partia më e re shqiptare BESA, premton se do të punojë për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve të Maqedonisë nga ajo që është sot. Ky koalicion deklaron se do të punojë në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve dhe ndryshimin e rolit të politikanit në Maqedoni në shërbim të popullit, e jo e kundërta.

    BESA, në bashkëpunim me ekspertë të njohur nga Sllovenia, ka përgatitur një Platformë për zhvillim të qëndrueshëm të rajoneve perëndimore të Maqedonisë, në kuadër të cilës është Programi për zhvillim rajonal i quajtur “Korab 2025”. Qëllimi i kësaj platforme është ringjallja turistike e kësaj pjesë të Maqedonisë, sepse potenciali i saj, sipas kësaj partie, deri më tani nuk është shfrytëzuar sa duhet.

    Ky subjekt i ri politik, poashtu premton redifinimin e shtetit, sepse sipas tyre, nuk ka kush të kujdeset për të ardhmen e shqiptarëve.

    Në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të marrin pjesë 11 subjekte politike – pesë koalicione dhe gjashtë parti politike. Të drejtë vote do të kenë gjithsej 1.784.524 qytetarë, ndërsa në diasporë do të mund të votojnë 20.591 shtetas të Maqedonisë.

    Ndryshe, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për 11 dhjetor është si rezultat i marrëveshjes së liderëve të katër partive më të mëdha politike në vend (VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH) të cilat pas negociatave të gjata më 31 gusht u dakorduan për mbajtjen e zgjedhjeve, me qëllim që shteti të dalë nga kriza politike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark