
Rruga drejt normalizimit, energjia dhe targat, tema diskutimi në takimin Kurti-Lajçak
Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurtit dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ky i fundit u është drejtuar mediave pas përfudimit të takimit ku ka bërë të ditur se për çfarë temash është diskutuar.
“Rruga drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë, tema e energjisë dhe ajo e targave”, tha Lajçak se ishin tema të diskutimit në takimin mes tij dhe kryeministrit Albin Kurtit.
Për çështjen e energjisë, Lajçaku ka theksuar rrezikun që t’i tërhiqet licenca Elektroseverit, ndërsa ka shtuar se për të njëjtat tema do të diskutojë të hënën edhe në Serbi.
Ai ka refuzuar të komentojë deklaratat e Komisionerit evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi i BE-së, Oliver Varhelyi, që një ditë më herët kritikoi Kosovën për veprime të njëanshme. Lajçaku u shpreh se “ai e ka mandatin e tij dhe unë e kam timin”.
“Takimi i sotëm ishte pjesë e komunikimeve të rregullta. Ishin dy çështje. E para ishte rruga drejt normalizimit dhe vazhdimi i diskutimeve që nisëm së fundmi që vazhduan edhe me intervenim të presidentit Macron e kancelarit Scholz dhe përfshirjen e Blinkenit. Diskutuam hapat e ardhshëm. Tema tjetër ishte ajo për energjinë dhe për targat”, ka thënë Lajçaku për gazetarët pas takimit.
Lajçak tha se pret që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të prodhojë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve.
“Të hënën do të jem në Beograd, për të diskutuar të njëjtat çështje dhe me të njëjtën agjendë. Do të diskutojmë vazhdimin e çështjeve edhe me kryeministrin Kurti, kur bëhet fjalë për energji ne jemi në konsultime”, tha Lajçak.