Pas takimit maratonike tre palësh në Bruksel ku po diskutohej për targat dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshje, zyrtarët evropianë tashmë janë duke zhvilluar takim vetëm me kryeministrin Albin Kurti.
Aleksandër Vuçiqi ka dal nga takimi pas pesë orësh, ndërkohë që Evropa e Lirë mësohet se kryeministri Albin Kurti po vazhdon bisedimet me zyrtarët evropianë pa Vuçiqin.
Vuçiq pasi ka dal nga takimi për gazetarët tha se nuk kanë arritur marrëveshje për targat.
“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.
“Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë”, tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia “do t’i qëndrojë pranë popullit serb” në Kosovë.
Megjithkëtë ai e ka pranuar kërkesën e Josef Borrell që të mos lëshoj targa KM.
“Do t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të Lartë [evropian], Borrell. Ai ka kërkuar që ata [zyrtarët kosovarë] të mos shqiptojnë gjoba, që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, tha presidenti serb.
Deri tash askush nuk është deklaruar nga pala kosovare rreth takimeve të sotme. Kujtojmë se në Bruksel përveç kryeministrit Albin Kurti ndodhet edhe kryediplomatja Donika Gërvalla dhe ambasadori Agron Bajrami. /Gazeta Insajderi