Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje kur kishte njoftuar se do të udhëtonte për në Paris, për të marrë pjesë në Forumin e Paqes me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron, kishte thënë se ndoshta gjatë kësaj vizite do të ketë një takim trilateral edhe me Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë. Por një takim i tillë nuk ndodhi.
Gazetarja e cila ka ndjekur nga afër takimet e “Forumit të Paqes” në Paris, Erisa Zykaj, ka shpjeguar se pse takimi trilateral nuk ndodhi.
Lexo edhe:
Në një intervistë për ABC News Albania, ajo tha se nuk pati sinjale të qarta nga dy vendet për një zgjidhje, prandaj kjo ishte dhe arsyeja se pse presidenti Macron nuk e bëri këtë takim trilateral.
“Kjo mund të jetë dhe një nga arsyet pse nuk u zhvillua një takim liderësh, pasi duhet të kishte një sinjal se dy vendet janë dakord për të lëvizur, këtë sinjal nuk e ka dhënë Serbia. Ne kemi një hapje nga Albin Kurti që kjo është një bazë e mirë, me anë të kësaj deklarate ka lënë idenë se ne jemi dakord. Por nuk kemi patur këtë sinjal nga Serbia. Macron do e kishte mbajtur këtë takim nëse do të kishte një lajm të mirë. Ne jemi mbushur me raunde negociatash që kanë përfunduar pa sukses. Macron e bëri për të evituar të njëjtin skenar, pasi deri më sot kemi shumë pak rezultate”, tha Zykaj.