“Dyfishoni përpjekjet, godisni kryqtarët: amerikanë, europianë, tradhëtarë turq, komunistë rusë, tiranë arabë”. Apeli i fundit i lëshuar nga bastioni i Mosulit, ishte një thirrje nën armë për të sinkronizuar celulat e gatshme që të flijohen për Kalifatin.
Vetëm dy javë më parë, zëdhënësi i ISIS kishte treguar prioritetet mbi të cilët duhej të përqëndroheshin sulmet, duke i premtuar Perëndimit: “Do t’i kujtoni këto fjalë”. Dhe tani, ai kërcënim është bërë konkret. Brenda pak orësh kanë ndodhur sulmet ndaj turistëve në Jordani, sulmi në Berlin, vrasja e ambasadorit rus në Ankara dhe një shkëmbim zjarri në Zyrih.
E vështirë të kuptohet nëse ka një regji unike prapa këtyre sulmeve, por të paktën për masakrën e tregut të Krishtlindjeve duket e qartë, po të kesh parasysh edhe mënyrën e sulmit: e njëjta me masakrën e Nicës, e njëjta me sulmet e kryer gjatë viteve të fundit në të paktën dy tregje të vegjël Krishtlindjesh në Francë.
Edhe një herë, Perëndimit i duhet që të bëjë llogaritë me forcën e ISIS, një organizatë që vazhdon të ketë fuqinë për të rekrutuar të rinj që janë gati të flijohen për xhihadin. Vetëm këtë vit që po mbyllet, mijëra kamikazë janë hedhur në erë në fushëbetejat e Raqqas, Mosulit dhe Sirtes. Shumë të tjerë, shpesh herë fare të rinj, nganjëherë edhe me vetëm një thikë të vogël në dorë, u janë turrur viktimave të pafajshme në kisha, në trena, në dalje të koncerteve. Dhe të tjerë mbeten në pritje për të hyrë në veprim, kudo, duke iu bindur një rrjeti klandestin që askush nuk po arrin ta shpërbëjë.
Humbjeve në terren në Irak, në Siri, në Libi, Kalifati po i përgjigjet me aksione spektakolare. Abu al Hassan al Muhajir, zëdhënësi më i fundit i Kalifatit, në 5 dhjetor kishte përsëritur urdhërin për vullnetarët e vdekjes: “Qëroni ku jeni, goditini në Perëndim: në shtëpitë e tyre, në tregjet e tyre, aty ku janë, në rrugë, atje ku më pak e presin. Digjuani tokën nën këmbë. Operacionet tuaja do të bëjnë dallimin, do të ndryshojnë situatën”.
Nuk është rastësi që atentatet janë përqëndruar në Gjermani. Qeveria gjermane nuk merr pjesë në bombardimet në Irak dhe Siri, por i ka dhënë një përgjigje edhe më të fortë mesazhit të urrejtjes së Al Baghdadit: ka hapur dyert për gjysmë milioni refugjatë, vetëm në 2015-ën. Sigurisht, Europa dhe SHBA kanë bërë shumë gabime me paaftësinë për të përballuar krizën në Lindjen e afërme, duke mbyllur sytë për vite të tërë, përballë vuajtjeve të popujve të braktisur në barbarinë e ekstremistëve.
Por gabimin më të rëndë perëndimi mund ta bëjë sot, duke iu përgjigjur brutalitetit të pak vetëve me diskriminim kundrejt atyre të shumtëve që kërkojnë strehim. Tashmë prej 15 vitesh përsëritet se kjo është edhe luftë civile, ku vetëm mbrojtja e vlerave të demokracisë, respektit dhe solidaritetit, mund të krijojë një pengesë kundër terrorit. /bota.al