×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Përkujtim për djalin tim të mirë, Luranin

    Insajderi
    09 April 2021 - 19:48

    Nga Xhabir Ahmeti

    Biri im, fjalët e mia pas teje nuk kanë peshë, s’i përfill më Muza, sepse ajo vinte pas buzëqeshjes tënde, jo pas fjalëve të mia. Ti ishe burimi i dashurisë së kësaj shtëpie, ishe një gejzer dashurie për popullin, ti ishe ai që artin e kuptoje si rendin më të lartë të mundshëm, ti i paloje argumentet se dashuria edhe e vërteta janë çelësat të cilët do ta sjellin madhështinë midis nesh, midis këtij populli të përçarë. Ti ishe një burim i pashtershëm i ideve fisnike; brenda teje gufonin ëndrrat më sublime për ta bërë kulturën tonë të njohur në botë përmes artit teatror dhe përmes filmit.

    Me net e net të tëra, me vite, rrije para ekranit duke hulumtuar thellësitë e filmit dhe të teatrit. I mblidhje përvojat më të mira të këtij arti që një ditë të shpërthejë talenti yt dhe me kreativitet të rrallë t’i zbulojë gjërat e zgjedhura që i posedojmë si popull, raritetet e veçantitë. Ti nuk i doje mesazhet në art, por origjinalitetin e ngrehinës artistike. Ti besoje se një ditë do të vijë dita jote të derdhësh dritën lëbyrëse të forcës tënde krijuese mbi popullin tonë të përvuajtur. Sepse, thoshe, e vërteta që është me mua i përballon të gjitha pengesat.

    Ti na doje neve, prindërve tu, nënën që mbi supet e veta e mban dhembjen e paparë, mua që kam nisur t’i kërkoj fjalët me qiri sepse m’i ka gllabëruar terri që të ndau nga ne, e doje motrën Linda që thur vaje për ty, e doje Edlirën tënde dhe Arbën e vogël, shpirtin e babit që kënaqej kur luante me ty. Na doje të gjithëve aq shumë sa s’përshkruhet. Na ruajte një vjet nga virusi vrastar, e ne ja ku jemi të thyer, të dërmuar, pa ty që e sakrifikove rininë tënde për ne.

    Nuk na leje të dalim thuajse askund. Nuk ka siguri, nuk ka garanci, nuk ka mbrojtje nga kjo e keqe që e ka vënë përpara botën, na e tërhiqje vërejtjen. Na thoshe: unë jam i ri e përballoj. Juve të pestëve ju kam gjithçka. Duke u kujdesur kështu për ne, e flijove veten, biri im. O biri im! Biri im, Ti na ike si një zog këngëtar prej duarve dhe ne tash e shohim se s’ishe zogu, por në fakt kemi mbetur pa shtyllën kryesore të shtëpisë. Ti ishe krenaria jonë. Ti ishe dashuria jonë. Ti ishe gëzimi ynë.

    Shpatullat tua e mbanin këtë shtëpi. Mos u hidhëro me mua që po belbëzoj kështu, sepse nuk janë me mua, me babin tënd, përcaktorët e vlerave, por kanë mbetur vetëm zëri e duart që më dridhen dhe lotët që më shkojnë rrëke, mos u hidhëro që nëna jote e përlotur pret gjithë natën të vish e ta hapësh derën e të shkosh e ta puthësh që të shtrihet e të pushojë e qetë se e ka djalin në ngrohtësinë familjare, mos u shqetëso kur Edlira ta përmend aq shpesh me pikëllim emrin, sepse ajo nuk do të të harrojë kurrë, mos ia zë për të madhe motrës tënde Lindës që shpesh shpërthen në vaj, sepse është dashuria e motrës që ashtu di të shprehet, mos u pikëllo kur bija jote, Arba jote, nuci i vogël, bukuroshja e vogël e babit, vazhdimisht të thërret e të kërkon ndër yje. Mos biri babit, se ti je me ne, je në zemrat tona, në kujtimet tona më të mira, Aty je Lurani i babit dhe aty do të të mbajmë si lule sa të jetë jeta.

    E di Luran, se ka vluar Maqedonia, Kosova Shqipëria dhe Turqia kur morën vesh se ti kishe marrë një udhë të cilën e pata planifikuar për vete e që ti të qëndroje te koka ime.

    Me mijëra e mijëra njerëz më shkruajnë mua, biri im, për ty artistin e dashur e të preferuar dhe më ngushëllojnë për ty në vend se tash ti të merrje dhjetëra letra ngushëllimi për mua. Mos të harroj të të tregoj se Arba mbledh lule dhe i vendos te dera e hyrjes së ndërtesës e më thotë: do të vijë babi natën do t’i marrë, sepse ai më sheh nga yjet. Nuk e di se çfarë ka në atë kokën e bukur të Arbës gjashtëvjeçare, por e di se ajo do të rritet me krenari se është bija jote, nuci i babit, bukuroshja e babit, ajo qysh tash të ka shkruar letra që rrallë kush mund t’i shkruajë aq bukur e thotë: “Babi, unë nuk kam njohur babë më të mirë në jetën time”. Sa shumë të duam, biri im i mirë, biri im i dashur.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark