15:48 - 10 Shkurt 2016

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë sot homazhe te pllaka përkujtimore e dy aktivistëve Arben Xheladini dhe Mon Balaj në Prishtinë, të cilët u vranë më 10 shkurt të vitit 2007 derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisarit.

Me këtë rast, lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se Kosova edhe pas nëntë vitesh ndodhet në situatë të njëjtë.

“Edhe në vitin 2007, Kosova e kishte një pushtet që kërkonte të merrte vendime me Serbinë dhe që plani i Ahtisaarit të jetë i zbatueshëm. Në atë vit ky pushtet doli kundër kërkesave të popullit ku policia e UNMIK-ut vrau Monin dhe Arbenin dhe lënduan 81 të tjerë,” ka thënë ai.

Ndërsa sot, sipas tij, jemi në një shtet ku plani i Ahtisarit u zhvillua, dhe përsëri “bashkë me negociatat në Bruksel, Serbisë po i krijohet hapësirë në Kosovë.”

Mon Balaj dhe Arben Xheladini janë vrarë nga policët rumunë të UNMIK-ut në një demonstratë kundër propozimit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës të presidentit Martti Ahtisaari.

Plagë të rënda në atë demonstratë kishin marrë edhe mbi 80 demonstrues, dy prej të cilëve sot e asaj dite kanë mbetur me pasoja të rënda.

Drejtësia nuk ka mundur t’i mbërrijë policët rumunë të cilët pas kthimit në vendin e tyre ishin dekoruar “për punën e mirë në Kosovë”

Edhe organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, kishte shprehur para disa viteve shqetësimin për mosvënien para drejtësisë të  përgjegjësve për vrasjet dhe lëndimet e rënda të demonstruesve.

Pas homazheve tek shtatorja e dy protestuesve të vrarë, Lëvizja Vetëvendosje ka shfaqur një dokumentar, përmes të cilit është treguar se si policia e atëhershme ishte ajo që kishte shprehur dhunë në protestën e organizuar ku për pasojë vdesin aktivistët, Arben Xheladini e Mon Balaj.

Në dokumentar po ashtu shprehet revolta që ky ‘krim’ asnjëherë nuk është marrë parasysh nga shteti i Kosovës dhe se vrasësit janë thirrur vetëm si dëshmitarë e asnjëherë janë marrë në pyetje sit ë dyshuar./Insajderi