×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Përparim Rama shpenzon mbi 11 mijë euro për drekat zyrtare

Insajderi
17 October 2022 - 15:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Mbi 11 mijë euro të taksave të qytetarëve janë shpenzuar nga pushteti i ri në Komunën e Prishtinës, për dreka zyrtare e akomodim. Lista e siguruar nga Gazeta Insajderi, nxjerr në pah se figurojnë faturat e 9 drekave zyrtare, ndërsa për vetëm dy prej tyre janë harxhuar mbi 5 mijë euro

Komuna e Prishtinës që tash udhëhiqet nga Përparim Rama, që nga muaji shkurt i këtij viti ka shpenzuar një shumë të konsiderueshme të parave të qytetarëve, për dreka zyrtare e akomodim.

Gazeta Insajderi, ka siguruar një listë të shpenzimeve që kjo komunë i ka bërë për kategori të ndryshme, në të cilën vetëm për dreka zyrtare e akomodim del se janë harxhuar 11 mijë e 434 euro në total.

Një organizim i zyrtarëve të Ramës, në një hotel në Pejë është paguar në shumën prej 3 mijë euro. Organizimi është mbajtur me 23 shkurt të këtij viti.

Ndërsa mbi 5 mijë euro janë paguar vetëm për dy dreka më të mëdha të organizuar nga Komuna  e Prishtinës. Ky institucion nuk ka dhënë detaje se çfarë darkash kanë qenë, për kënd janë organizuar dhe sa persona kanë qenë të pranishëm, por vetëm se faturat e drekave janë të muajit maj dhe korrik.

Dreka e parë zyrtare që është mbajtur me 6 maj, del se është paguar nga zyra e financave të kryeqytetit në shumën prej 2 mijë e 100 eurove.  Derisa dreka tjetër zyrtare që është mbajtur me 7 korrik, ka kushtuar mbi 3 mijë e 393 euro, shkruan Insajderi.

Kjo nuk është e tëra për këtë kategori shpenzimesh të komunës që drejtohet nga Përparim Rama.

Në listë figurojnë të paktën edhe gjashtë dreka tjera zyrtare. Tri prej të cilave kanë kushtuar 539 euro, e që figurojnë të muajit korrik.

Ndërsa fatura e tri drekave tjera të muajit gusht janë në shumën e 753 eurove.

Pushteti në Komunën e Prishtinës, është kritikuar edhe nga asamblistët e Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i grupit të tyre Gëzim Sveçla, pati kërkuar llogari nga i pari i komunës, Përparim Rama, për këto shpenzime.

“3,393 euro komuna e Prishtinës ka paguar brenda një dite në restorantin Soma në kryeqytet. Vazhdon abuzimi me fondet publike. Vazhdojnë skandalet. 3.393,44€ është vlera e një fature të paguar, në kategorinë dreka dhe darka zyrtare, prej taksave të qytetarëve të Prishtinës, nga Kryetari i Prishtinës. 3.393,44€ ushqim dhe pije”.

“Një të premte të kësaj vere, në një nga lokalet e kryeqytetit, Përparimi vendosi të argëtohet pak. Nejse, jo bash pak. 3.393.44€ paguan qytetarët e Prishtinës për qefin e Kryetarit. Prishtina e përjetimeve, Përparimi për pije”, pati ka shkruar shefi i asamblistëve të VV-së, Gëzim Sveçla. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark