Një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës (UP) kanë ngritur shqetësime për atë që e konsiderojnë standard të dyfishtë në organizimin e afateve të provimeve. Ata kërkojnë që afati i nëntorit për rivlerësim, i cili po aplikohet në disa fakultete, të zgjerohet në të gjithë universitetin.
Studentët thonë se aktualisht ekziston një pabarazi e qartë mes njësive akademike. Ata sjellin në vëmendje faktin se Fakulteti i Mjekësisë dhe ai i Bujqësisë dhe Veterinarisë tashmë e kanë aplikuar ose janë në proces të aplikimit të afatit të nëntorit, ndërsa kjo mundësi po u mohohet studentëve të fakulteteve të tjera. Sipas përfaqësueses së tyre, çështja nuk lidhet vetëm me lëndët shumësemestrale, por me të gjitha lëndët, duke cenuar besimin e studentëve në institucion.
Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor njoftuan se gjatë dy javëve të fundit kanë zhvilluar disa takime me Rektoratin e UP-së, por deri tani pa arritur një zgjidhje konkrete.
“Nëse nuk krijohet hapësirë për dialog të vërtetë, atëherë nga java e ardhshme do të detyrohemi të vazhdojmë me format demokratike të reagimit, përfshirë protestat”, deklaroi kryetarja e Parlamentit Studentor, duke i bërë thirrje Rektoratit për një zgjidhje të drejtë dhe të barabartë për të gjithë studentët.
Nga ana e menaxhmentit të UP-së është mohuar se po aplikohet trajtim i pabarabartë. Prorektorja për çështje studentore sqaroi se universiteti ka miratuar një Rregullore të re për vlerësimin, e cila parashikon vetëm tri afate zyrtare janar, qershor dhe shtator, duke hequr afatet e mëparshme si ai i nëntorit dhe prillit.
Ajo shtoi se ekziston një dispozitë statutore që u lejon njësive akademike me specifika të veçanta, si programet 6-vjeçare në Mjekësi dhe Veterinari, të kenë rregullore të posaçme, por ato ende nuk janë miratuar nga Senati i UP-së.
Miratimi i Rregullores së re në korrik, për të cilën studentët senatorë votuan kundër, mbetet ende shkaku kryesor i tensioneve mes trupës studentore dhe menaxhmentit të Universitetit.