Pas deklaratës së Alban Krasniqit, bashkëshortit të ushtrueses së detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, i cili e quajti “vrasës” kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, pas vdekjes tragjike të një punëtori në një vendpunishte në Prishtinë, ka reaguar edhe ish-deputeti Haki Abazi.
Përmes një postimi publik, Abazi i është drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e pyetur: “Kush ka qenë vrasës në rastin e nënës shtatzënë në muajin e nëntë në oborrin e QKUK-së, e cila ishte nën urdhër mbrojtës?”
Sipas Abazit, rasti i vrasjes së nënës shtatzënë dhe foshnjës së saj në oborrin e QKUK-së përbën “vrasje të shtetit”.
“Unë e pyes Albin Kurtin kush ka qenë vrasës në rastin e nënës shtatzënë në muajin e nëntë në oborrin e QKUK-së, e cila ka qenë nën urdhër mbrojtës!?
Aksidentet ndodhin dhe janë fatkeqësi të rënda. Ndodhi edhe në Austri. Ngushëllime familjes së të riut që ka humbur jetën. Por kur shteti e ka për detyrë ta mbrojë dhe vritet në duart e shtetit, shteti është pjesëmarrës në vrasje. Nëna dhe foshnja të vrarë në oborrin e QKUK-së është vrasje e shtetit!”, ka shkruar Abazi.
Ndryshe, në vitin 2022, Hamide Magashi, e cila ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë, u vra në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj.