Përqindje e ulët e grave të punësuara në Kosovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Përqindje e ulët e grave të punësuara në Kosovë

    Insajderi
    19 December 2016 - 13:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkalla e punësimit te femrat në Kosovë, vazhdon të mbetet dukshëm më e ulët krahasuar me meshkujt. Të dhënat e fundit zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë treguar se shkalla e punësimit te gratë ishte rreth 12 për qind, ndërsa te meshkujt 42 .9 për qind.

    Femrat, sipas këtyre të dhënave, janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me rreth 52 për qind.

    Shumica e pagave mujore neto ishin midis 300 euro dhe 400 euro dhe se janë vërejtur dallime shumë të vogla gjinore, me një tendencë të lehtë që burrat të marrin paga më të larta.

    Për vështirësitë që femrat kanë hasur në gjetjen e një vendi pune në Kosovë, flasin edhe disa qytetare të anketuara nga Radio Evropa e Lirë.

    Ajnishahe Gashi me profesion ekonomiste, thotë të ketë ndjekur shumë konkurse për vende të lira pune të shpallura nga institucionet e Kosovës, por që nuk ka pasur sukses në punësim.

    “Kam bërë përpjekje të shumta për t’u punësuar. Në gati të gjitha konkurset ku i kam parë, kam konkurruar, por nuk ka pasur rezultate. Mendoj që papunësia po vjen si pasojë e nepotizmit, nivelit të lartë të korrupsionit dhe ekonomisë së pazhvilluar, ku nuk mund të krijohen më shumë vende të reja pune”, thotë Ajnishahe Gashi.

    Edhe për Jetën, e cila me profesion është infermiere, punësimi është një problem. Ajo thotë se në shumicën e konkurseve ku ka aplikuar, nuk ka arritur të punësohet.

    “Është problem gjetja e një vendi pune në Kosovë. Edhe ashtu nuk ka shumë oferta për punë. Edhe nepotizmi është mjaft i theksuar kur bëhet fjalë për punësim”, pohon Jeta.

    Organizatat joqeveritare që mbrojnë të drejtat e grave, e shohin si mjaft shqetësues nivelin e ulët të punësimit të grave në Kosovë.

    Arieta Rexhaj, nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore, thotë të ketë pritur që niveli i punësimit të grave të shënojë rritje gjatë dy viteve të fundit, por kjo nuk ka ndodhur.

    “Ne kemi pritur një rritje të nivelit të punësimit ndoshta duke u bazuar në premtimet elektorale të dhëna gjashtë fushatës dhe planeve që Qeveria i ka prezantuar, e cila po ashtu është e obliguar që ta zbatojë Ligjin për barazi gjinore, por niveli i punësimit i ulët i grave po vazhdon me vite dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thekson Rexhaj.

    Ligji i ri për barazi gjinore i aprovuar në vitin 2015, obligon të gjitha autoritetet publike që të ndjekin në mënyrë aktive parimet e barazisë ndërmjet burrave dhe grave.

    Por, në realitet gratë nuk i gëzojnë të drejtat e tyre sikurse burrat, thotë Rexhaj. Kjo pabarazi, shton ajo, është evidente në shumë rrafshe sociale dhe ekonomike të jetesës.

    “Shkaqet pse gruaja nuk është e përfaqësuar denjësisht në shoqërinë tonë, zakonisht është mentaliteti patriarkal që akoma ka rrënjët e tij. Trajtimi i gruas në Kosovë nuk është në nivelin e dëshiruar, gruaja në Kosovë është e diskriminuar. Përveç nivelit të punësimit, i cili është i ulët, për më keq në nivelin e vendimmarrjes politike është shumë pak e përfaqësuar”, thekson Rexhaj.

    Papunësia në Kosovë është një nga problemet thelbësore që e ka përcjellë shoqërinë në përgjithësi për vite me radhë.

    Bazuar në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë është 26.2 për qind, shifër kjo me të cilën nuk janë pajtuar mekanizmat që mbrojnë të drejtat e punëtorëve në Kosovë dhe njohës të çështjeve ekonomike.

    Këta të fundit kishin deklaruar se papunësia në Kosovë është shumë më e lartë. (REL)


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    23 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark