×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Personalitetet me ndikim që u përfshinë në raste të dhunës seksuale

    Insajderi
    30 August 2022 - 10:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Figura me ndikim të vendit – si dy policë, një avokat, një mësues, dhe një këngëtar – janë përfshirë në raste të ndara të dhunës seksuale ndaj grave. Disa janë dënuar, dhe liruar, derisa të tjerë s’e kanë kaluar asnjë ditë në burg.

    Gazeta Insajderi

    Është zbuluar identiteti i 26 vjeçarit i cili po mbahet në paraburgim nën akuzën për dhunimin e një vajze 11 vjeçe. Sinjali ka raportuar se njëri nga pesë të dyshuarit është Ekrem Rexhepi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Dy nga pesë të dyshuarit për dhunimin e vajzës 11-vjeçare në Prishtinë, vëllezërit Ekrem dhe G.Rexhepi, kanë përfunduar në paraburgim, nën dyshimin e bazuar se kryen aktin çnjerëzor të keqtrajtimit seksual të të miturës, ndërkohë janë arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë. Njëri nga të dyshuarit vazhdon të jetë në arrati.

    Kjo ngjarje e tmerrshme dyshohet se nisi në parkun e lagjes Arbëria e më pas në disa lokacione tjera.

    Sipas Prokurorisë, “i pandehuri ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës”.

    “Në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij i mitur. Pastaj i pandehuri ka shkuar me (veturë) “PickUp” te parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh. S. dhe G. J., dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe Xh. S. ndërsa i pandehuri së bashku me G. J. dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E. R. ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, tregon njoftimi i Prokurorisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Para këtij rasti, në Kosovë kanë ndodh edhe shumë ngjarje të tilla, madje në të njëjtat kanë qenë të përfshirë njerëz me ndikim të shtetit.

    Kush janë ata, dhe me sa u dënuan?

    Një trup gjykues me dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës vendas në prill të 2011, e kishte shpallur Sejdi Zeqiri, komandantin e Stacionit të Policisë në Obiliq, fajtor për dy akuza të keqtrajtimit seksual, për (fyerje gojore dhe frikësim) gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, dhe për një akuzë të mitmarrjes.

    Ai ishte dënuar me dy vjet e katër muaj burgim. Po ashtu, është shqiptuar edhe një dënim plotësues, me anë të cilit komandantit i ndalohet që të punojë në administratën publike apo në shërbimin publik për tri vjet.

    Më vonë Zeqiri, ishte pastruar nga “historia kriminale” për të cilën kishte vendim të formës së prerë. Ai ishte dënuar nga tri shkallë të gjykatës.

    Rreth katër vjet pas dënimit, lënda e Zeqirit ishte kthyer në riprocedim penal. Gjykata Supreme ia kishte mundësuar kthimin në rigjykim të veprave penale për të cilat ishte dënuar vetëm kur ato ishin parashkruar e që nuk kishin mundësi ligjore të gjykoheshin përsëri.

    Ndonëse për të nuk është dëshmuar kurrë pafajësia, pasi që parashkrimi i lëndës nënkupton vjetërsim absolut të rastit, Zeqiri ishte kthyer në pozitën e komandantit të Policisë në Obiliq.

    Zeqiri madje do të marrte pagat në mënyrë retroaktive që nga viti 2009, kur ishte pushuar nga puna për shkak të ngritjes së aktakuzës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Dënim me burgim për sulm seksual kishte marrë edhe një polic tjetër.

    Gjykata Themelore në Prishtinë në dhjetor të 2017 pati shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve për rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së mitur nga Drenasi, ku ishte i përfshirë edhe polici Vesel Veseli.

    Ai u gjet fajtor për “Keqpërdorimin seksual” të së miturës dhe për detyrimin që ia bërë asaj për të abortuar.

    “I akuzuari V.V. është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprën penale ‘Shtytja në ndërprerjen e shtatzënisë’ nga neni 184 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 32 të KPRK-së, dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) viteve”, thuhet në njoftimin e gjykatës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në këtë rast janë dënuar edhe avokati si dhe arsimtari i viktimës.

    Avokati Gazmend Halilaj ishte dënuar me dy vite burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprën penale Keqpërdorim Seksual.

    “I akuzuari G.H. është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.3 pika 1.3 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve”, thuhej në njoftimin e Gjykatës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Derisa mësuesi Shkëlzen Xhekaj ishte dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim.

    “I akuzuari Sh.XH. është shpallur fajtor për veprën penale Keqpërdorim seksual duke keqpërdorë pozitën, autoritetin apo profesionin nga neni 239 par.1 pika 1.3 të KPRK-së dhe veprën penale Nxitja e akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës nga neni 240 të KPRK-së dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 6 (gjashtë) muaj”, kallëzonte njoftimi i Gjykatës, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Edhe reperi Gjiko është i dyshuar për dhunimin e një të miture”

    Një vajzë 11 vjeçe dyshohet se është dhunuar për 7 orë në Prishtinë dhe të dyshuar janë pesë persona.

    Kjo ka ngjallur reagime të shumta në vend. Gazetari Lavdim Hamidi ka rikujtuar se reperi Gjiko është po ashtu i dyshuar për dhunimin e një të miture dhe se nuk ka shkuar në burg.

    “Mos harroni se i dyshuar për dhunimin e një të miture është edhe një reper i njohur në Kosovë. Egziston aktakuza e Prokurorisë, por asnjë ditë s’ka shku në burg! #Gjiko”, ka shkruar ai në facebook.

    Gazeta Insajderi kishte raportuar se organet e drejtësisë në Kosovë, posedojnë dëshmi me video se reperi Asdren Gjikolli, i njohur si Gjiko, është i përfshirë në një rast të dhunimit të një vajze të mitur.

    Rasti dyshohet të ketë ndodhur në banesën e tij në Prishtinë, pasi që fillimisht sipas prokurorisë ai e kishte droguar viktimën. Në aktakuzën që e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se të miturë Gjikolli e kishte mashtruar se do ta bënte këngëtare. Ekzistojnë edhe prova të tjera që dëshmojnë se Gjiko ka kryer edhe tri vepra të tjera penale.

    “Gjatë kohës sa qëndronim në ballkon e banesës, nga dritarja e kam vërejtur [viktimën] duke bërë seks me Gjikon. Po ashtu e kam vërejtur Gjikon duke e incizuar atë tërësisht të zhveshur duke bërë disa skena që mua nuk më janë dukur normale”, kjo është vetëm njëra nga dëshmitë që figurojnë në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ndaj reperit Asdren Gjikolli.

    Këngëtari Asdren Gjikolli-Gjiko, në mars të vitit 2017, është njoftuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, se ndaj tij është ngritur aktakuzë për veprën e rëndë penale dhunim i të miturës.

    Gazeta Front Online ka publikuar për herë të parë lajmin për aktakuzën ndaj Gjikos.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark